
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë ku një vajzë 2-vjeçare u paraqit në Urgjencën Pediatrike me shenja djegie të shkaktuara nga cigarja. Familjarët e të miturës, të cilët i përkasin komunitetit rom i qëndrojnë versionit se ajo është djegur pa dashje nga i vëllai, Davidi, 9 vjeç.
Gjyshja e 2-vjeçares Lirie Rruça ka treguar për Report Tv se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht ndërsa shprehet se në spital është dërguar disa ditë me vonesë. Ajo shprehet e shqetësuar se e mitura mund të ketë marrë infeksion pasi jetojnë në kushte të mjerueshme në disa Baraka në zonën e Tufinës.
‘Çfarë ka goca? Ishte pa qejf. E ka djegur me cigare. E ka gjetur përdhe cigaren e gjuajta pa dashje. Nuk di gjë kur e kanë dërguar. Ndoshta e ka dërguar pas dy tre ditëve. Davidi nuk shkon në shkollë, ku di unë pse nuk shkon në shkollë. Infeksion i gjallë është këtu mi none.’- tha ajo.
Më herët u raportua se vajza është dhunuar nga familjarët e saj të rritur ndërsa kishte dyshime se ajo është abuzuar dhe seksualisht. Por këto pretendime u hodhën poshtë nga Policia, e cila e raportoi ngjarjen e djegies si aksidetale. Ndërsa këtë të premte ekspertiza mjeko-ligjore doli në përfundimin se ndaj vajzës nuk është abuzuar seksualisht.
Ndërsa mjekët e Pediatrisë shprehen se shenjat që e mitura ka në trup, për shkak se nuk janë mjekuar për ditë me radhë, dhe kruarjeve nga dhimbja, janë përhapur duke u infektuar.
Ndërkohë agjentët e Komisariatit Nr. 4 po përgatisin dokumentacionin për përcjelljen e rastit te shërbimi social për heqjen e të drejtës së prindërimit./Zëri.ai