
ATHINË- “Ne si emigrantë të brezit të dytë në Greqi nuk e kemi përjetuar Shqipërinë si prindërit tanë. Kur u transferova në Tiranë nuk kërkoja kujtimet sepse nuk kisha, kërkoja një të nesërme më të mirë,”- thotë Rolandi për “K”. Ai vetë erdhi në Greqi në vitin 1994, kur ishte 5 vjeç. Historia e tij siç thotë ai nuk është asgjë e veçantë, është një histori tipike e emigrimit ekonomik me disa luhatje emocionale rreth cilit shtet konsideron si “shtëpinë” e tij.
“Kur isha në shkollë të mesme mërzitesha me prindërit e mi, të cilët insistonin të mbanin kontakte me të afërmit tanë në Fier. Mendova se ata nuk po mundohen aq sa duhet për t'u bashkuar me Greqinë dhe se nëse do t'i ndërpresin lidhjet me Shqipërinë, të cilën e kanë quajtur gjithmonë "atdhe", atëherë gjithçka do të ishte më mirë".
Në vitin 2012, megjithatë, rolet u ndryshuan. Rolandi sapo kishte marrë diplomën si inxhinier IT dhe me gjithë përpjekjet e tij nuk mundi të gjente asnjë punë zyre, vetëm punë krahu si ato që kishte bërë i ati për kaq shumë vite. Në të njëjtën kohë, ai pa shumë nga miqtë e prindërve të tij që kishin mbetur pa punë dhe ishin kthyer në Shqipëri, ndërsa miqtë e tij kërkonin të shpërnguleshin në vende të tjera evropiane. Ishte hera e parë që mendonte të largohej vetë nga Greqia.
“Prindërit e mi bënë një lëvizje krejtësisht të papritur: ata grumbulluan kursimet e tyre dhe, duke përfituar nga çmimet në rënie, blenë një apartament në Athinë”. Edhe Rolandi ndoqi shembullin e prindërve, ai vetë filloi të punonte me punë që nuk kishin lidhje me studimet e tij dhe po kursente aq sa mundte.
"Flas me kolegët e mi studentë që punojnë në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe ndjej se ata gëzojnë një nivel jete që nuk e kam pasur as në Greqi, as në Shqipëri. Kjo është ajo që unë dua të ndjek."
Në vitin 2018, ai kishte mbledhur një shumë të vogël por të mjaftueshme për të hapur një biznes në Tiranë.
“Nuk do të shkoja në Shqipëri për të punuar si në Greqi me rrogë ditore. Askush nuk e bën këtë nëse nuk është i dëshpëruar. Ndoshta as atëherë. Ata që janë kthyer e kanë bërë këtë për të hapur diçka të tyren.”
Edhe pse biznesi i Rolandit konsiderohet i suksesshëm, ai shprehet se dëshiron të largohet nga vendi, por këtë herë do ta bëjë me kushtet e tij.
“Ëndrra ime ishte të kisha kompaninë time dhe ia dola. Megjithatë, me situatën aktuale financiare, nuk e di se sa do të mund ta mbaj. Flas me kolegët e mi studentë që punojnë në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe ndjej se ata gëzojnë një nivel jete që nuk e kam pasur as në Greqi, as në Shqipëri. Kjo është ajo që unë dua të bëj.”
Për periudhën 2009-2013, Shërbimi Statistikor Shqiptar INSTAT përllogariti kthimet në Shqipëri në shifrën 133 544 persona, ku 70.8% e këtij emigracioni ciklik vinte nga Greqia.
Mes tyre ishte edhe familja e Mailindës , e cila u kthye për herë të parë në Shqipëri në vitin 2010. Prindërit e saj vijnë nga Berati dhe që nga viti 1995 u shpërngulën në Janinë.
“Vitet e fundit babai im punonte në një furrë buke. Ai ishte shumë i lumtur sepse opsioni tjetër i tij ishte të largohej nga qyteti dhe të punonte në ara, pra një punë shumë më të vështirë”. Kur filloi kriza financiare, çiftit iu ulën pagat. Më pas, babai i Mailindës vendosi të kthejë familjen në Shqipëri dhe të hapë një furrë buke në Korçë.
“Isha 17 vjeç, jetova pothuajse gjithë jetën në Greqi, nuk e kuptoja pse duhej të largohesha. Doja të qëndroja dhe të studioja këtu, por nuk kisha zgjidhje tjetër, i ndoqa në Shqipëri”.
Babai e mbylli furrën e bukës tre vjet më vonë. Ai u shpërngul në Sarandë, ndërsa Mailinda dhe e ëma u kthyen në Janinë.
“Mamaja ime ka punuar si pastruese gjatë gjithë viteve në Greqi. Kur u kthyem, ajo nuk e kishte të vështirë të kthehej sërish rutinën e saj. Por unë, si një person krejtësisht i pakualifikuar, e pata shumë të vështirë të gjeja një punë. Më në fund, fillova të punoj me sezon në hotele. Në të njëjtën kohë, kërkoja një punë më të përhershme që do të ndjeja se po më çonte diku”.
Majlinda, pas nxitjes së babait dhe xhaxhait të saj që dëshironin të punonin në turizëm, u kthye në Shqipëri për herë të dytë në vitin 2020. Por as rikthimi i dytë i saj nuk shkoi ashtu siç priste, pasi planet madhështore të të afërmve të saj që planifikonin të për të krijuar një njësi hoteliere në Sarandë nuk u realizua.
Tashmë ajo është kthyer në Greqi dhe siç thotë ajo dëshiron të marrë jetën në duart e saj.
“Unë njoh njerëz të moshës sime që kanë emigruar në Gjermani, por nuk flas gjermanisht. Kam miq në Angli, por më thonë se edhe atje është vështirësuar situata”.
Erandi është 35 vjeç, nuk ka marrë nënshtetësinë greke dhe punon me reklama. Ai erdhi në Greqi kur ishte ende foshnjë. Tani ai është i martuar dhe ka një djalë të vogël. Ai komenton se të gjithë miqtë e tij shqiptarë, veçanërisht ata më të vegjël se ai, janë larguar nga Greqia drejt vendeve të tjera të Europës.
“Ne diskutuam me gruan time dhe vendosëm që edhe ne, nëse duam të sigurojmë një standard të mirë jetese për familjen tonë, duhet të largohemi nga Greqia. Filluam të mësojmë holandisht në mënyrë që të mund të lëviznim përpara se djali ynë të fillonte shkollën. Disa të afërm më pyetën me hezitim nëse po mendoja të shkoja në Shqipëri. Unë u thashë që nuk jam i çmendur, dhe ata më dhanë të drejtë..."
Marrë dhe përkthyer nga Kathimerini