
TIRANË- Personi më i pasur në botë, Elon Musk ka dhënë mendimin e tij për çështjen e emigrantëve të paligjshëm që sillen në kampin e Gjadrit. E gjitha nisi pasi një postimi që bëri në rrjetin "X", moderatori italian Mario Nawfal. Ky i fundit shpërndau në rrjetin social të blerë nga Musk lajmin se edhe dje Gjykata e Romës vendosi për kthimin në Itali të emigrantëve të paligjshëm që erdhën në vendin tonë pak ditë më parë.
"Një gjykatës italian bllokoi planin e fundit të Melonit për të dërguar emigrantët e paligjshëm në Shqipëri, duke vendosur përfundimisht se të huajt nga Bangladeshi dhe Egjipti duhet të futeshin në Itali. Plani, i zhvilluar me Shqipërinë për të lehtësuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe synon që të ndalojë deri në 36,000 emigrantë të paligjshëm që të futen në Itali,"-shkruan Nawfal, duke iu referuar raportimit të bërë nga "Financial Times". Pikërisht në këtë postim erdhi edhe reagimi i Musk.
Ai shkruan shkurt: Këta gjyqtarë duhet të ikin!

Një ditë më parë, Gjykata e Romës urdhëroi kthimin në Itali të 7 emigrantëve që ishin vendosur në Gjadër. Gjykata e Romës e konsideroi të paligjshëm dërgimin e emigrantëve, pasi sipas tyre Bangladeshi dhe Egjipti nuk janë vende të sigurta. Ky është vendimi i dytë i po kësaj gjykate kundër qeverisë Meloni, pas atij të 18 Tetorit ku urdhëroi kthimin në Itali të 12 emigrantëve të parë të mbërritur në Shqipëri. Deri më tani, emigrantët e kapur në det vetëm sa bëjnë "xhiron" Itali-Gjadër-Itali, pasi marrëveshja nuk po implementohet ashtu siç edhe ishte parashikuar. Kjo çështje ka futur në konflikt qeverinë italiane me gjyqësorin./ZËRI