
KOSOVË- Hetimet për vrasjen e Liridona Ademajt vijojnë. Naim Murseli në dëshminë e tij ka thënë se ka qenë në dijeni se Granit Plava ishte personi që qëlloi me armë zjarri për të vrarë bashkëshorten e tij Liridona Ademajn, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të shkuar, por nuk ka pranuar të ketë porositur ai ekzekutimin. Sipas Naimit, ai nuk e besonte që Graniti do të vriste, bashkëshorten e tij.
Të gjitha këto janë mohuar nga Granit Plava, i cili ka treguar në polici se Naim Murseli e ka porositur për t’i vrarë e bashkëshorten, Liridona Ademajn. Plava ka përgënjeshtruar dëshminë e Naim Mirselit, duke treguar me detaje se biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në një pikë karburanti në Gremnik të Klinës. Madje në dëshminë e tij ekzekutori i Liridona Ademajt, është shprehur se armën e siguroi vetë Naimi.
DËSHMIA:
Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30.000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë. Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje.
Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam parë unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë xhiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri. Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Granit Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI