
TIRANË- Mjeku i spitalit Onkologjik, Edmond Gashi ka bërë mbrojtjen e vetes para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme. Duke qenë se aktualisht është në masën e sigurisë "arrest shtëpie", mjeku Gashi ka kërkuar lirinë me pretendimin se nuk po lejohet që të ushtrojë detyrën dhe të kujdeset për pacientët e tij.
“Ju lutem hiqeni masën e sigurisë, po më pengoni të ushtroj profesionin e mjekut. Janë 50 biopsi që kanë dalë dhe presin ndërhyrje,”-tha ai para Gjykatës. Megjithatë, ishte i njëjti mjek që në përgjimet e zbardhura në Prokurorinë e Tiranës, pasi informohej se pacientët e tij ishin me temperaturë, ai përgjigjej thjesht me: Vari leshtë! Por duket se koha e kaluar në masën e sigurisë "arrest shtëpie" e ka bërë të reflektojë.
Aktualisht ndaj kirurgut është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe Edmond Gashi është lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. ZËRI ka zbardhur dosjen e Prokurorisë së Tiranës, ku sqaron të gjitha rolet që kanë pasur personat e përfshirë në skemën e mashtrimit, ku ata që e pësonin, ishin pacientët. Pacientët që drejtoheshin pranë dyerve të Onkologjiku, u flisnin për radhë të gjata pritjeje, ndërsa Edmond Gashi, u ofronte zgjidhje, i dërgonte në klinikën private, aty ku ndante fitimin me të tjerët./ZËRI