
DURRËS- Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest në burg” për Fatjon Janina, 39-vjeçarin, i cili akuzohet për vrasje me dashje të fqinjit të tij të moshuar. Mbrëmjen e 30 dhjetorit, 39-vjeçari masakroi me thikë dhe çekiç fqinjin e tij të moshuar Paulin Gina.
Gjatë seancës së sotme, i pyetur nga gjyqtari Rexhep Bekteshi rreth motivit të ngjarjes, Janina pretentoi se viktima Paulin Gila i kishte borxh 200 mijë lekë dhe nuk ia kthente. Natën e krimit, sipas tij, viktima tentoi ta qëllonte vetë i pari me çekiç, por autori ka gjetur një thikë dhe e ka masakruar me të.
“Po unë e vrava Paulinin. Më kishte 200 mije lekë borxh, e pashë që po dilte nga shtëpia. I thashë hajde flasim për atë borxhin që me ke se me duhen lekët për viti e ri. U futëm të shtëpia e tij. Aty debatuam dhe më tha se nuk kishte para. Më ofendoi, më tha drogaxhi. Aty e humba qetësinë, u përleshem afro 1 orë. Ai donte të me godiste me çekiç, unë gjeta një thikë e qëllova disa herë. Pastaj e qëllova edhe disa herë edhe me çekiç derisa ngeli i shtrirë në tokë. Më pas, mora thikat dhe çekiçin dhe i futa në shtëpinë time. Pasi fsheha thikat dhe çekiçin, ika dhe unë nga shtëpia nga frika e Policisë,"-tha autori.

Ngjarja e rëndë u zbulua nga kamera e sigurisë e një pallati në lagjen 16, e cila kishte dokumentuar të gjitha lëvizjet e autorit. Janina ishte personi i vetëm që hyri në ndërtesë para ngjarjes dhe doli disa orë më vonë. Fation Janina, i cili prej kohësh jetonte i vetëm dhe ishte i njohur në zonë si konsumues i alkoolit. Ndërsa viktima, Paulin Gila, një burrë i moshuar gjithashtu jetonte i vetëm pasi fëmijët e tij ndodheshin prej vitesh në emigracion në Itali./ZËRI