
DURRËS- Një tjetër bazë armësh është zbuluar, kësaj here po në Durrës. Në kuadër të operacionit "Hills/Kodra 2", Policia ka zbuluar një tjetër depo armësh që shërbente për furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri, e cila dyshohet se i përket grupit kriminal të Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’. Edhe kjo depo, ishte e kamufluar në një banesë, pronari i të cilës, i identifikuar si Adem Salillari, është vendosur në pranga. Brenda në shtëpinë e tij, të cilën e kishte kthyer në një bazë luftarake, kishte: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme. Kjo bazë, u zbulua pas asaj të Durrësit, e cila më pas solli edhe gjurmimin e depos së fshehur në banesën e Sukthit.
Tani pritet që 'pronari' të flasë para uniformave blu për të treguar "klientët" e tij.
NJOFTIMI I PLOTË:
Sukth, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hills 2”. Zbulohet një tjetër bazë që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, me armë zjarri dhe me municion luftarak. Sekuestrohen kallashnikov, granatë, dylbi snajperi, krehër arme dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm. Vihet në pranga pronari i banesës. 2 ditë më parë, Policia e Durrësit zbuloi një tjetër bazë kriminale, nga e cila u sekuestruan 4 kallashnikovë, 20 krehra dhe një sasi e madhe fishekësh. Në kuadër të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e përdorimit të tyre nga kontigjenti kriminal, për ngjarje të rënda, specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, të mbështetur te informacionet e inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hills 2”.
Si rezultat i operacioni, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale. Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme. Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës që dyshohet se shërbente si bazë, shtetasi A. S.. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Kush është Aleksandër Laho?
Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi është në kërkim pasi u shpall nga Policia e Durrësit në kuadër të operacionit më të fundit policor, “Porositësi”. Ai dyshohet se bashkë me tre persona të tjerë, mori peng njërin prej vëllezërve Beqiraj, Indrit Beqirajn, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë (2 Tetor) në afërsi të fshatit Koxhaj, në autostradën Tiranë-Durrës. I njohur edhe me nofkën “Rrumi”, ai nuk është emër i panjohur për policinë, por edhe publikun. Në 2019-n, ai mbeti i plagosur në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj ngjarje e ndodhur më 1 Nëntor pranë mbikalimit të Shkozetit.
Në më pak se 1 javë, Policia e Shtetit ka zbuluar një bazë armësh në Vlorë, ku u prangos Luçiano (Albano) Deraj, dhe një tjetër u gjet në një shtëpi të braktisur në Durrës. Megjithatë, deri më tani, Policia nuk e ka zbuluar se për cilin grup kriminal ruheshin këto armë zjarri dhe nëse, ndonjë prej tyre ishte përdorur edhe më parë në ngjarje kriminale./ZËRI