
TIRANË- Është zbardhur plagosja e një efektivi të FNSH-së gjatë ditës së djeshme në Tiranë. Ndryshe nga sa u raportua fillimisht, se efektivi i Xhojsi Lamaj ishte vetëplagosur, tashmë policia ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Për këtë ka nisur procedimi ndaj kolegut të efektivit të plagosur, Konstandin Çipi, i cili dyshohet se e ka plagosur aksidentalisht gjatë një stërvitje të përbashkët.
Çipi është pezulluar nga detyra deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Më datë 15.02.2024, rreth orës 12:40, në ambientet e Njësisë së Sigurisë Publike Tiranë, punonjësi i Policisë Inspektor K. Ç., gjatë përgatitjes për stërvitje, dyshohet se nga pakujdesia i ka shkrepur arma e shërbimit dhe për pasojë është plagosur në këmbë, punonjësi i Policisë Inspektor Xh. L., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa punonjësi i Policisë K. Ç. është pezulluar nga detyra.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe veprimet procedurale për këtë rast po kryhen nga AMP.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim të thelluar administrativ për mosrespektimin e procedurave standarde për mbajtjen dhe administrimin e armëve të brezit, nga punonjësit e Policisë.
Në përfundim të këtyre veprimeve, Prokuroria, Policia Gjyqësore dhe AMP kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë, për punonjësin e Policisë K. Ç., për plagosje nga pakujdesia.
/ZËRI