
ELBASAN- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Fush Bull të Elbasanit. Një 59-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rrëshqitur aksidentalisht rreth 100 metra në greminë. Viktima është identifikuar si Nazmi Boja.
Pas disa orë kërkimesh Ekipet e Zjarrfikëses së Elbasanit, Emergjencave Civile dhe Ekipet e Alpinizmit të Kërkim Shpëtimit Malor arritën të identifikojnë mjetin e rrëzuar në greminë. 59-vjeçari ka qenë duke rregulluar kanalin vaditës të fshatit dhe dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur. Boja mori plagë të rënda dhe pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të helikopterit që e nxorri nga humnera, ai ndërroi jetë teksa transportohej në spital.
"Shërbimet e policisë, zjarrfikësit, alpinistët dhe ekipi i urgjencës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Për shkak të terrenit ka shkuar edhe helikopteri, për të bërë të mundur nxjerrjen e këtij shtetasi. Për shkak të dëmtimeve shtetasi N. B. nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën në helikopter. Trupi i pajetë po transportohet në morg, për kryerjen e ekspertizës”, njoftoi policia.