
KORFUZ- Gjykata e Korfuzit ka caktuar këtë të shtunë 40 ditë burg për Gerald Shehun, autorin e vrasjes së recepsionistit Eraldo Nevruzi në Dhërmi, në hotelin ku autori ishte bashkëpronar. Para trupës gjykuese, raportohet se Shehu ka deklaruar se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi viktima e ka sulmuar dhe ofenduar i pari, ndërsa ka kërkuar që të mos kthehet në Shqipëri pasi i rrezikohet jeta. Ndërkohë autoritetet shqiptare po përshpejtojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë për tu përballur me akuzat.
Si ndodhi vrasja
Vijon të jetë e rrethuar me mister vrasja e recepsionistit Eraldo Nevruzi në Dhërmi, ndërkohë që mesditën e djeshme policia ka gjetur trupin e pajetë të tij në afërsi të përroit që lidh Gjipenë me Vunoin. Burime nga grupi hetimor zbulojnë detaje të reja nga krimi makabër, që ndodhi brenda hotelit në Dhërmi, në orët e para të ditës së enjte. Mësohet se krimi ka qenë i planifikuar nga ana e Shehut, pasi përgjatë mbrëmjes, kur Nevruzi sapo kishte marrë turnin e punës, ai e ka thirrur në një dhomë ku pushonte stafi duke u kujdesur të justifikojë edhe mungesën e tij tek vendi i punës.
Më pas ai e ka ekzekutuar i vetëm dhe me mbështetjen e dy bashkëpunëtorëve Daniel Qose dhe David Larti, ka bërë të mundur zhveshjen e trupit të viktimës, duke i marrë sendet personale, rrobat, dokumentat e identifikimit, të cilat ja kanë djegur tek furra e picerisë. Më pas Shehu është ndihmuar nga dy punonjësit e hotelit, duke e kanë mbështjellë trupin e viktimës me plastmas, dhe e kanë futur në mjetin tip ‘Audi a8’ duke u larguar më pas nga hoteli. Pas kësaj ai ka tentuar që të largohet drejt Anglisë përmes aeroportit të Korfuzit./ZËRI