
DURRËS- ZËRI ju sjell kronolgjinë e vrasjes së 50-vjeçarit Pëllumb Meta. Krimi ka ndodhur 10 ditë më parë në fshatin Shënavlash, por u zbulua sot nga policia. Më datë 13 shkurt djali i viktimës 25-vjeçari Hysen Meta denoncoi zhdukjen e papritur të të atit, por më vonë u zbulua se e gjitha ishte një skemë e 3 fëmijëve për të eliminuar të atin.
Vajza e familjes, 19 vjeç Hygerta Meta ka marrë përsipër krimin duke dëshmuar në polici se ka qenë ajo që e ka qëlluar me 4 plumba të atin në kasollen e bagëtive që ndodhet pranë banesës e më pas e ka mbështjellë me çarçafë dhe qese për ta groposur 1.5 metra nën dhe.
Studentja e ekonomisë vit i parë rrëfeu se prej kohësh mbante brenda vetes një urrejtje të madhe për të atin pasi ai ishte me parime fanatike dhe shpesh bëhej i dhunshëm nëse nuk i dëgjohej fjala. Pika që arriti kulmin dhe çoi në krimin e rëndë ishte kur ai kërkonte ta martonte me mblesëri me një emigrant që jetonte në Itali por vajza nuk e donte.
Vajza ndër të tjera pranoi edhe se ku e kishte hedhur armën për të fshehur gjurmët, por e gjitha ishte një skemë e saj për të mos zbuluar dy bashkëpunëtorët e tjerë, vëllezërit e saj, Hysen dhe Amarildo Meta.
Policia futi në listën e hetimeve gjithë familjarët, pasi ishte e pamundur që vajza të kishte kryer gjithë krimin me gjaftohtësi dhe e vetme. Pëllumb Meta punonte roje në një parking në zonë dhe fqinjët e njihnin si njeri autoritar dhe të ftohtë, por kur nuk e besonin që fëmijët e tyre do të merrnin hapin fatal.
Pas më shumë se12 orësh policia ka zbardhur të plotë ngjarjen. Gjurmët në qesen e plastamsit që ishte mbështjellë viktima ka çuar në zbulimin e autorëve, vëllai 25 vjeçar Hysen Meta dhe motra Hygerta Meta.
25-vjeçari mori makinën e të atit dhe pasi e çoi në zonën e Sektorit Rinia në Durrës, shkoi në polici dhe e denoncoi të zhdukur, skema që u ndoq për të sfumuar krimin. Policia bën me dije se djali dhe vajza janë bashkëautorë. Ai që ka qëlluar nuk ishte 19-vjeçarja por vëllai i madh.
Ndërsa vëllai i tretë, Amarildo Meta ka ndihmuar në fshehjen e provave të krimit. Nëna e tyre dhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina Meta gjithashtu po hetohet në gjendje të lirë me akuzën e pengimit të zbardhjes të së vërtetës./ZËRI