
TIRANË- Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, që konfirmoi pak ditë masat e kërkuara nga SPAK ‘detyrim paraqitje’ dhe 'ndalim për të dalë jashtë vendit'. Në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani, thuhet se masa e duhur për rastin e Beqajt është ajo e arrestit me burg, pasi ai është person që e ka kryer veprën penale në rrethana rënduese duke bashkëpunuar dhe me persona të tjerë.
Sipas Gjykatës, Beqaj paraqet rrezikshmëri shoqërore, dhe duke qenë se ende mban detyra publike, ai mund të ripërsërisë krimin që ka kryer. Gjyqtari Bani argumenton se shkelja që ka kryer Beqaj, është shumë më e rëndë se ajo e kryer nga vartësi i tij Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni që fitoi koncensionin e sterizilimit Ilir Rrapaj, të cilët ndodhen pas hekurave. Kjo është hera e dytë që GJKKO i del kundër hetimeve dhe kërkesave të SPAK për Ilir Beqajn.
Fillimisht SPAK nuk e përfshiu emrin e Beqajt në koncensionin e sterilizimit, dhe u desh ndërhyrja e GJKKO, që hetimet për të të vazhdonin, dhe tashmë në rastin e dytë Gjykata kërkon nga SPAK që të kërkojë një masë më të ashpër ndalimi për ish-ministrin e shëndetësisë.
Ishin prokurorët e çështjes Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi ata që kërkuan masën e sigurisë të detyrimit të paraqitjes për Beqajn, dhe në këtë rast GJKKO nuk mund të japë një masë më të ashpër shtrënguese nga sa kërkon SPAK.
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme evidentohet dhe dëmi ekonomik që i është bërë buxhetit të shtetit për koncensionin e sterilizimit. Kompania që fitoi, paraqiti një ofertë 3 miliardë lekë më shumë sesa ishte fondi limit për koncensionin e sterilizmit.
Më herët ka qenë vetë SPAK që ka evidentuar se ky koncension është dhënë jashtë procedurave ligjore, pasi është bërë ne negociim dhe me kompani të paracaktuar, duke shmangur garën mes operatorëve të ndryshëm.
PJESË NGA VENDIMI I GJKKO:
Rrezikshmëria e autorit lidhet me rrezikshmërinë e veprës. Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se vepra penale është kryer në rrethana rënduese sikurse është kryerja e veprës penale “duke shpërdoruar funksionin publik” dhe e kryer në “bashkëpunim” parashikuar nga neni 50 gërma “dh” dhe “gj” të Kodit Penal.
Gjykata, vlerëson se në çështjen objekt gjykimi, duke pasur parasysh sanksionin e veprës penale dhe prirjen normale dhe natyrore të çdokujt për gëzimin e lirisë personale ka vend për të dyshuar racionalisht se, personi nën hetim I.B. ka nevojë të sigurohet, për t’i caktuar një masë sigurimi personal, për të garantuar vijimësisht prezencën e të dyshuarit në procedimin penal në ngarkim të tij, si për të siguruar normalitetin e hetimit dhe të gjykimit në çështjen në ngarkim të tij, dhe për të siguruar që ai të mos largohet, të fshihet por t’i nënshtrohet ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit kur vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë”, thuhet në vendim.
Ndodhur në këto kushte, Gjykata vlerëson se për personin nën I.B. masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin e tij, marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Këtu duhet theksuar fakti se cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, ëshë i gabuar. Për arsyet e cituara në paragrafët 169.25.4, 169.25.4.1 dhe 169.25.4.1 të këtij vendimi, Gjykata çmon se në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penale të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim I.B. krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve.
Rëndësia e faktit” dhe “sanksionit që mundë të caktohet” parashikuar nga neni 229 i K.Pr.Penale për personin nën hetim I.B. të jetë më madhe nga ajo e vlerësuar nga prokuroria. Masat e kërkuara nga prokuroria për personin nën hetim I.B. konkretisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, Gjykata i konsideron jo proporcionale në raport me rrezikshmërinë e theksuar të faktit, pasojave që kanë ardhur në rastin konkret dhe mënyrës se si ka vepruar personi nën hetim në procedurën e konҫesionit. Roli, përgjegjësia dhe intesitetit i shkeljeve të kryera nga personi nën hetim I.B. është më i madh se i personave nën hetim K. R. dhe I.R. për të cilat prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Pranimi i ofertës së bashkimit të OE Servizi Italia, në vlerën rreth 3 miliard lekë të reja mbi vlerën totale të koncesionit; Veprimet ose mosveprimet e titullarëve për mos vënien në funksion të aseteve të QSUT, kanë shkaktuar shpenzime jo të menaxhuara me ekonomicitet, efiçencë, dhe efektivitet për buxhetin e shtetit; Kontrata u firmos me një vlerë 505 mln lekë më pak nga ajo që kishte oferuar Konçensionari; Autoriteti Kontraktor, Ministria e Shëndetësisë ka negociuar Kontratën në favor të koncensionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një vlerë prej 58, 814,793 lekë për shpenzimet e energjisë elektrike dhe të ujit (deri në muajin Prill 2022 të zbatimit të Kontratës.
Në rastin konkret konҫesioni i është dhënë shoqërive konҫesionare, të cilat pranojnë vetë se nuk kanë kapacitete njerëzore dhe profesionale për të përmbushur Kontratën Konҫesionare. Kjo shton rrezikshmërinë e faktit dhe të autorit në rastin konkret. Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se personi nën hetim I.B. vijon që të ushtrojnë funksione publike dhe ekziston rreziku ai të abuzoj me detyrën sikurse në mënyrë të “hapur dhe flagrante” në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore ka vepruar në procedurën e konҫesionit. Kjo shton rrezikun e përsëritjes të të njëjtës vepër penale”.
Vetë Beqaj ka deklaruar pak ditë më parë se ka rezerva mbi vendimin e SPAK dhe GJKKO, megjithëse vendosi që të mos apelojë asnjë masë që është dhënë ndaj tij. Pasi u njoh me masën e sigurisë, Beqaj dha dorëheqjen nga detyra që mbante, ajo për menaxhimin e fondeve dhe investimeve të huaja në Shqipëri. Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
/Zëri.ai