FIER- Fqinjët dhe të afërmit e 56-vjeçarit, Anesti Rama i cili dyshohet se u mbyt me tel nga vajza e ti 26-vjeçar kanë dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen. Kunata e Anesti Ramës ka zbuluar detaje nga marrëdhënia e viktimës me gruan dhe vajzën që i morën jetën.
Ajo shprehet se i ndjeri punonte, por paratë i merrnin gruaja dhe vajza, pasi ai nuk i njihte paratë. Për vajzën e të 56-vjeçarit, Emanilda Rama, tha se nuk e njihte shumë, ndërsa për Valbona Rama (gruaja e viktimës), tha se e linte në dhomë më vete.
“Në dijeninë time… si të tërë që kanë probleme në shtëpi. Kishin probleme, se tani çiftet kanë problem. Çupën s’e njoh mirë se kam qenë në Greqi. Ai punonte, por nuk i njihte lekët. Lekët e atij i merrnin vajza dhe gruaja. Ai nuk shikonte lekë me sy, se sa lekë kishte. Jetonin në bashkë në shtëpi, por në dhomë më vete. Nuk kishin marrëdhënie si burrë e grua. Për çupën s’kam çfarë të them… kam qenë e ikur (jetonte në Greqi). Në fillim mora vesh që i ranë infarkt, pastaj thanë që e kanë bërë ato. Thashë me vete që s’ma merr mendja që e kanë bërë ato. Viktima nuk e meritonte këtë fund“, u shpreh ajo për TopChannel.
Nga ana tjetër kryeplaku i fshatit e përshkruan viktimën si një njeri punëtor dhe të qetë, ndërsa shtoi se ka pasur probleme në familjen Rama dhe se gruaja me vajzat e linin pa bukë. Gjithashtu ai tha se ka qenë dëshmitar okular kur familjarët e dhunonin.
“Anesti ka qenë burrë i mirë, punëtor, por ka pasur probleme familjare me gruan, fëmijët. Nuk shkonte mirë. Arrinte sa e linin pa bukë të shkretin, ankohej tek unë. ‘Duan të më nxjerrin nga shtëpia’ më thoshte. Ata merrnin ndihmë ekonomike, i kam ndihmuar sa kam mundur. Kush e di sa herë ka shkuar policia në shtëpinë e tyre. Unë nuk dija gjë, kur shkova afër banesës ishin ata të krimeve aty. Thanë se i kishte rënë infarkt, por e kishin mbytur. Na ka ardhur të gjithëve keq, se ishte djalë pa llafe, punëtor. Ato nuk e trajtonin mirë. Viktima punonte në një firmë private. Ai vetëm ankohej i shkreti. E rrihnin, godisnin në syrin tim. Ça të them unë… ato ha, pi, rri dhe punonte ai i shkreti. Jemi të prekur shumë si fshat. Janë tre vëllezër këta. Njëri prej tyre e mori në Greqi ku punoi atje dhe bëri shtëpinë. Familja i thoshin ‘ik nga shtëpia, s’të duam’”, tha kryeplaku.