Aktualitet

Dy vite pas shkarkimit, rikthehet në detyrë si gjyqtare Alma Hiçka, ish-avokatja e shtetit

Dy vite pas shkarkimit në KPK, KPA në një nga vendimet e rralla kundër shkallës së parë, rikthen në detyrë si gjyqtare Alma Hiçkën

E.K
Dy vite pas shkarkimit, rikthehet në detyrë si gjyqtare Alma
Alma Hicka

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA ka rikthyer pas dy vitesh në detyrë gjyqtaren e Tiranës, Alma Hicka, e shkarkuar më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK.

Vendimi u mor të enjten me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Rezarta Schuetz, Albana Shtylla e Sokol Çomo, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Hickës.

Hicka u shkarkua nga KPK më 2 prill 2021, pasi u konstatuan probleme në kriterin pasuror dhe situatë konflikti interesi, që janë rrëzuar nga ana e shumicës së Kolegjit, duke bërë që tashmë ajo të rikthehet në detyrë. Ky vendim përbën një nga rastet e pakta kur KPA ndryshon vendimin e dhënë më herët në shkallën e parë të vlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në KPK.

Vendimi: Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 48/2021, datë 30.08.2021 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Alma Hicka, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 364, datë 02.04.2021.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 364, datë 02.04.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Alma Hicka.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 26.10.2023.

Alma Hicka ka qenë gjyqtare nga viti 2003 dhe në vitin 2013 u emërua Avokate e Shtetit, detyrë që e mbajti deri në vitin 2018. Pas dorëheqjes nga posti i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, Hicka u emërua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB