
TIRANË- Arrestohet Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja. Gjatë kontrolleve të policisë në mjetin me të cilin udhëtonte i është gjetur kokainë dhe shuma të mëdha parash. Policia ka vënë në pranga të riun, ndërkohë që ka sekuestruar makinën në të cilën ai udhëtonte, sasinë e dyshuar të lëndës narkotike, si dhe shumat e parave që iu gjetën me vete Rrajës.
“Jam i tensionuar, do të flas në një moment të dytë,”-kështu është shprehur 22-vjeçari, duke mos dhënë më detaje lidhur me ngjarjen.
Deri më tani mendohet se i janë gjetur më shumë se 200 mijë lekë dhe para të tjera në valutën e eurove në makinë, dhe më shumë se 50 gramë kokainë, e cila në treg kap vlerën e rreth 5 milionë lekëve të vjetra.
Njoftimi i policisë:
U arrestua shtetasi A. Rr., 22 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ariel Rraja është djali i Flamur Rrajës, vëllait të deputetit, i cili vazhdon të jetë në kërkim për dhunën e ushtruar bashkë me pjesëtarë të tjerë të fisit të tij ndaj dy vëllezërve Jashar dhe Bilbil Maja, për shkak të ankesave që këta dy të fundit kishin bërë për dëmtimet që iu kishin ndodhur banesave si pasojë e shpërthimeve në një gurore./Zëri.ai