
TIRANË- Temperaturat e larta në vendin tonë janë shoqëruar me vatra zjarri në disa prej qyteteve të vendit. Një "panoramë" e situatës në vend është raportuar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit është finalizuar shuarja e 17 vatrave të zjarrit në territorin e vendit.
Por, ka disa vatra vijojnë të mbeten problematike.
Prej ditës së djeshme po punohet për shuarjen e flakëve në Zogaj të Tropojës. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 100 Forca të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e flakëve, së bashku me 3 helikopterë të KFOR-ti, i shoqëruar me një ekip nga Kosova. Falë këtyre përpjekjeve është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat e lagjes Hajdarmataj.
Po ashtu, puna e forcave operacionale ka bërë që të shmanget kalimi i flakëve drejt banesave në vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe fshatin Torovicë, në bashkinë Lezhë, ku gjithshtu janë angazhuar në ndihmë të pushtetit vendor efektivë të FA. Po punohet nga frocat në një tjetër vatër aktive në fshatin Hoten, Vau Dejës, në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror si dhe në një vatër zjarri në bashkinë Konispol, fshati Shalës./ZËRI