Aktualitet

Dy sulme po përgatiten ndaj Izraelit, SHBA në gadishmëri

Sipas Jerusalem Post, ajo që nuk iu tha presidentit amerikan, është se kush do të godasë i pari dhe çfarë do të përfshijnë sulmet.

M.M
Dy sulme po përgatiten ndaj Izraelit, SHBA në gadishmëri
Sulmi ndaj Izraelit

SHBA- Dy sulme kundër Izraelit janë planifikuar, një nga Irani dhe një nga Hezbollahu. Të dyja u përmendën nga shërbimet sekrete amerikane në konferencën që i mbajtën të martën para Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mbi situatën në Lindjen e Mesme.

Sipas Jerusalem Post, ajo që nuk iu tha presidentit amerikan, është se kush do të godasë i pari dhe çfarë do të përfshijnë sulmet. Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë një takimi në dhomën e menaxhimit të krizave, Biden dhe Harris u informuan nga ekipi përgjegjës për çështjet e sigurisë kombëtare mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke përfshirë kërcënimet e paraqitura nga Irani ndaj Uashingtonit.

Presidenti amerikan dhe kandidatja për presidente u informuan gjithashtu për sulmin në bazën ajrore “Al Assad” dhe masat që po konsiderohen për të mbrojtur anëtarët e forcave të armatosura amerikane dhe për t'iu përgjigjur çdo sulmi. Ata u informuan gjithashtu mbi lëvizjet e ushtrisë amerikane për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit nëse do të vihet sërish në shënjestër. Dhe gjithashtu, për përpjekjet diplomatike për të de-përshkallëzuar tensionin në rajon dhe përpjekjet - ende të bllokuara - për të rënë dakord për një armëpushim në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe Hamasit.

Roli i Rusisë

Në të njëjtën kohë mediat iraniane raportojnë se Teherani i ka kërkuar Rusisë sisteme të avancuara kundërajrore ndërsa përgatitet për përgjigjen e mundshme të Izraelit. Siç raporton "New York Times", dy zyrtarë iranianë, njëri nga Garda Revolucionare, konfirmuan kërkesën iraniane, duke shtuar se transferimi i sistemeve (radar dhe anti-ajror) nga Rusia ka filluar.

Dje në Iran ka udhëtuar kreu i Këshillit të Sigurimit rus, Sergei Shoigu, i cili pas takimit me kreun e Forcave të Armatosura iraniane, gjeneralin Mohammad Bagheri, tha se “jemi gati për bashkëpunim të plotë me Iranin në çështjet rajonale”.

Nga ana e tij, kanali televiziv shtetëror i Izraelit, Kan raportoi se zyrtarë të vendeve që po përgatiten të ndihmojnë Izraelin në rast të një sulmi nga Irani, e po ashtu kanë paralajmëruar Tel Avivin të mos përgjigjet me forcë të madhe.

"Mos e teproni!,"- thuhet se ishte mesazhi që zyrtarët perëndimorë i dërguan qeverisë së Netanyahu-t, duke shtuar "mendoni seriozisht përpara se të kundërpërgjigjni. Qëllimi në fund të ditës nuk është të futemi në një luftë në shkallë të gjerë”.

Prillin e kaluar kur Irani nisi një sulm masiv me dronë dhe raketa, forcat nga SHBA, Britania, Franca, Katari, Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini ishin në anën e Izraelit./ZËRI 

Poll

MOS HUMB