
DURRËS- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka zhvilluar sot një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në konferencën shkencore ndërkombëtare me temë: Shteti, Shoqëria dhe e Drejta. Në fjalën e tij, Dumani e kosnideroi SPAK-un si institucionin që është krijuar për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. Ai u bëri një apel juristëve të rinj, teksa u shpreh se duhet të angazhohen të gjithë aktorët e rinj pasi beteja kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë madhore për institucionet e drejtësisë në vend.
“Kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por prania ime sot është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera, me qëllim vazhdimin e komunikimit tonë ndërinstitucional. Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci. Reforma në drejtësi u realizua përmes ndryshimeve thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. Ai është një nga produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo me objektet e caktuara të hetimit. Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë të njëanshme, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e shumë institucioneve,”- tha Dumani ndër të tjera.