
LUSHNJE- Babë e bir humbën jetën në shpërthimin e fuqishëm që ndodhi sot në kapanonin në Lushnjë. Banorët e zonës janë shprehur të tronditur, duke treguar se shpërthimi në magazinë ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar deri tek banesat e tyre apo në vendet ku ishin duke punuar.
“Isha në servis kur ndodhi. Ishte shpërthim shumë i fuqishëm”, tregoi një prej qytetarëve.

“Shumë e frikshme, dëgjova vetëm zhurmë. Llamarinat u ngritën në ajër”, tha një tjetër qytetar.

Në një intervistë për Report Tv, banori Skerdjan Zaimi gjithashtu tha se dëmet materiale në banesën dhe biznesin ku punonte së bashku me familjarët e tij ishin tepër të mëdha. Sipas tij dëmi për biznesin e elektroshtëpiakeve llogaritet mbi 200 mijë euro, ndërsa rrëfeu edhe momentin e shpërthimit duke treguar se, punëtorët dhe familjarët kishin përjetuar momente tmerri me xhamat që binin përreth tyre.
“Isha duke punuar poshtë. Fëmijët ishin duke luajtur këtu, njerëzit e tjerë në dhomën e pritjes. Për momentin thjesht mendova për ata, u ngjita lart, i kapa i nxora jashtë thjesht të shpëtonim ata pa menduar gjë tjetër. Falë Zotit nuk kemi asnjë dëmtim në njerëz. 4 anëtarë jemi në familje, në total ishim 10 persona që rrezikoheshim. (Dëmet në biznesin e elektroshtëpiakeve) Biznesin e ka kunati, po punoj edhe unë me të. Nuk e nxjerrim dot vlerën por llogaritet rreth mbi 200 mijë euro. Vala goditëse ishte goxha e fuqishme. Nuk po merrnim vesh cfarë po ndodhte. Një zhurmë shumë e madhe, xhamat binin gjithandej, fëmijët të trembur”, u shpreh banori i zonës.

Çfarë dimë deri më tani?
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:05 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit" në një kapanon në punim e sipër. Pak minuta pas vinçierit Landi Verçani (Hoxha), ka humbur jetën dhe djali i tij 20 vjeç Elidon Hoxha. Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur pasi telat e tensionit të lartë janë këputur aksidentalisht nga një vinç dhe kanë rënë mbi depozitat e gazit, të cilat furnizonin disa biznese. Të plagosur kanë mbetur 7 persona të tjerë, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, nënkryetari i Bashkisë Elton Korreshi. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë./ ZËRI