
GJIROKASTËR- Prej disa ditësh vatra e zjarrit është aktivizuar në Bashkinë e Dropollit dhe ende vijon lufta për shuarjen e flakëve. Aktualisht zjarri është "zhvendosur" në fshatin Terihat dhe po rrezikon disa shtëpi të banorëve të zonës. Por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për të lënduar në njerëz.
Sot në zonë ka mbërritur edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili inspektoi nga afër sot ndërhyrjet e strukturave të shërbimit zjarrfikës dhe emergjencave civile, në jug të vendit, ku po luftohet prej ditësh me flakët. Në fjalën e tij, Balla tha se ky mund të jetë zjarri më i madh me të cilin jugu është përballur në vite, duke shtuar se flakët po favorizohen nga era.
"Ky është për nga sipërfaqja, ndoshta zjarri më i madh që kemi pasur në shumë vite, i favorizuar për shkak të terrenit, por edhe erës, e cila ka bërë shpërndarjen e këtij zjarri në një gjatësi tepër të madhe duke përfshirë pothuajse 3 bashki, deri në momentin që flasim, por që era që fillon tani pasdite, dhe gjatë natës, do të vazhdojë të mbajë aktive disa prej vatrave të këtij zjarri,"- u shpreh Balla për mediat.
Ndër të tjera, ministri tha se do të vazhdohet të mbahet e kontrolluar situata.
Prej ditësh disa zona në bashkinë e Dropullit janë përfshirë nga flakët, ku ka pasur ndërhyrje nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarreve. Madje ndihmë ka ardhur edhe nga Greqia fqinje por sërish flakët nuk janë shuar./ZËRI