
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim biznesmenin Rezart Taçi lidhur me një skemë mashtrimi të krijuar prej tij përmes së cilës kryente transaksione fiktive. Në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës bën me dije se nga një hetim i nisur që në vitin 2018, shoqëria ‘Kuid shpk', si agjente e shitjes me pakicë e shoqërisë ‘Taçi Oil" ka faturuar komisione shërbimi më shumë në sasi se sa sasia e furnizuar për periudhën Maj-Dhjetor 2013. Sipas hetimeve të prokurorisë, shoqëria ‘Taçi Oil' nga muaji maj deri në tetor ka shitur 1.298095 litra, por faturën e ka "prerë" për 4.591.093 litra. Kjo sasi ka vlerë prej 36 milionë lekësh të tjera. E njëjta skemë është ndjekur edhe për ‘benzinë’, ku në fakt ishin shitur 608.093 litra, por ishin faturuar 1.934.446. Në këtë rast, vlera e përfituar nga faturat fiktive është 15 milionë lekë.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
Krijoi skemë mashtrimi me TVSH nëpërmjet transaksioneve fiktive me shoqëritë e krijuara prej tij, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq shtetasin R.T. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin R.T. i akuzuar për veprën penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në’ e parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal. Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 206 i vitit 2018, rezultoi se shoqëria ‘Kuid’ shpk si agjente e shitjes me pakicë e shoqërisë ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a., i ka faturuar komisione shërbimi më shumë në sasi se sa sasia e furnizuar në fakt për periudhën Maj-Dhjetor 2013.
Kjo shoqëri ka kredituar padrejtësisht TVSH-në me vlerë 10.399,595 lekë. Gjithashtu me transaksion fiktiv ka rënduar shpenzimet e vitit padrejtësisht për shumën 51.997.975 lekë.
Nga kontrolli tatimor i kryer rezultoi se shoqëria ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a. për llojin karburant ‘Diesel’ nga muaji Maj-Tetor 2013 ka shitur një sasi prej 1.298095 litra dhe ka faturuar një sasi prej 4.591.093 litra, me një diferencë më shumë 3.292.998 litra në vlerë 36.818.845 lekësh. Ndërsa për llojin e karburantit ‘Benzinë’ ka kryer shitje në sasinë 608.093 litra duke faturuar 1.934.446 me vlerë 15.070.950 lekë./ZËRI