Aktualitet

Drejtoresha e DAR-it ia kalon "topin" Ministrisë së Arsimit: Projekti mashtrues nuk ishte iniciativë e jona! (REAGIMI)

Si personi që dyshohet se fshihet pas skemës së mashtrimit për bursa studimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Valentina Lamaj e ka kaluar "topin" tek Ministria e Arsimit.

k.m.
Drejtoresha e DAR-it ia kalon "topin" Ministrisë së Arsimit:
Valentina Lamaj

TIRANË- Mësuesja e anglishtes, njëherazi edhe zyrtarja e Drejtorisë Arsimore Rajonale, Tiranë, Valentina Lamaj ka reaguar për herë të parë pas marrjes nën hetim për përfshirje në skemën e mashtrimit që u zbulua vetëm pak ditë më parë. Si personi që dyshohet se fshihet pas skemës së mashtrimit për bursa studimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Valentina Lamaj e ka kaluar "topin" tek Ministria e Arsimit. Në postimin e saj në rrjetet sociale, ajo shkruan se përfshirja e saj dhe e gjithë mësuesve të tjerë "Let's talk together about US 2024", nuk ka qenë iniciativë e tyre, por e vendosur "institucionalisht". Pra, "pasin" e bën tek Ministria e Arsimit. Megjithatë, shton se vetëm drejtësia mund ta zbardhë çështjen e saj, ndërsa reagimin e saj e mbyll duke i kërkuar falje nxënësve që kanë rënë pre e mashtrimt.

"Ndiej detyrimin të deklaroj se asgjë nga ato që keni lexuar, nuk është e vërtetë. Përfshirja ime dhe e të gjithë mësuesve koordinatorë në projektin "Let's talk together about US 2024", nuk ka qenë iniciativë e jona, por është vendosur në mënyrë kolegjiale institucionalisht. Për më shumë dhe për zbardhjen e të vërtetës, detyra i takon organeve kompetente,"-shkruan ajo ndër të tjera në postimin e saj. 

REAGIMI I PLOTË:

Të dashur miq, familjarë, nxënës e prindër! E ndiej të nevojshme t'ju drejtohem me një mesazh të gjithë juve që më keni qëndruar pranë dhe jeni interesuar për mua në një moment kaq delikat e të veshtirë si ky që po kaloj. Ashtu si shumëkush nga ju që më njeh, e di që kurdoherë jam munduar të jap më të mirën time në gjithçka që lidhet me profesionin dhe veprimtarinë time si mësuese. Përgjatë gjithë rrugëtimit tim profesional, kam kryer me shumë përkushtim, ndershmëri dhe përgjegjshmëri çdo orë mësimore, detyrë apo projekt të caktuar, e kjo sepse për mua profesioni që kam zgjedhur është pasion dhe mision, e si rrjedhojë është i shenjtë. Ndaj, të gjendesha në mes të akuzave e të vorbullës mediatike pa fakte, për mua e për familjen time ka qenë shokuese e përtej surreales. Ndiej detyrimin të deklaroj se asgjë nga ato që keni lexuar, nuk është e vërtetë. Përfshirja ime dhe e të gjithë mësuesve koordinatorë në projektin "Let's talk together about US 2024", nuk ka qenë iniciativë e jona, por është vendosur në mënyrë kolegjiale institucionalisht. Për më shumë dhe për zbardhjen e të vërtetës, detyra i takon organeve kompetente. Shpresoj dhe kam besim se shumë shpejt do të hidhet dritë mbi çdo të pavërtetë e drejtësia do të triumfojë. Gjej shumë të rëndësishme t'u them të gjithë nxënësve pjesëmarrës në këtë të ashtuquajtur projekt, që edhe unë ashtu si ju, jam tejet e keqardhur që mundi dhe puna e gjithë këtyre muajve nuk mundi të finalizohej ashtu si të gjithë ne mendonim dhe prisnim. Në përfundim, dua të falenderoj edhe njëherë të gjithë ju që më keni mbështetur, qëndruar pranë dhe më keni besuar thjesht sepse më njihni dhe e keni kuptuar kush jam. Faleminderit!

Një skemë me bursa studimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u zbulua pak ditë më parë dhe nën hetim për këtë mashtrim është vendosur, zyrtarja arsimore, Valentina Lamaj. Bëhet fjalë për një projekt të ashtuquajtur “Let’s Talk Together About US24", i cili pretendohej se ishte ngritur nga një zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Por mesa duket nuk ka qenë ky rasti./ZËRI

Poll

MOS HUMB