
TIRANË-Pas masakrës së Lushnjës, ku mbeti i vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, tashmë një dosje e re kundër Laert Haxhiut është regjistruar në SPAK. Në dosjen e re Laert Haxhiu dhe anëtarët e grupit të tij do përballen me akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” në dëm të viktimës Besnik Hida. Vrasja fillimisht është hetuar në prokurorinë e Lushnjës, shkruan Oranews e më pas çështja kaloi në Fier. Tashmë prokurori Petrit Vukaj ka shpallur moskompetencën duke ia kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK. Kjo është dosja nr.3 që regjistrohet në SPAK kundër Laert Haxhiut dhe grupit të tij, pas asaj të vrasjes së Latifit-Hoxhës si dhe vrasjes së 5 personave e vendosje tritoli, krime këto të treguara nga bashkëpunëtori i prokurorisë, Artan Tafani.
Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, tre autorët e vrasjes së Bensik Hidës në 1 Tetor 2019 sipas prokurorisë, janë Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmetaj i njohur ndryshe me nofkën “Pepe”. Për këtë ngjarje, Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua në Greqi. Ndërsa Orgest Bilbilit i është komunikuar masa e arrestit në ambientet e burgut të Drenovës në Korçë.
Sipas hetimeve të kryera lidhur me vrasjen e Besnik Hidës, Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmetaj, fillimisht janë identifikuar pikërisht nga zbulimi i makinës së Ahmetaj, një “Benz A-Class” me ngjyrë të zezë, që policia e ka sekuestruar në ambientet e një servisi në Çermë-Proshkë. Hetimi, zbuloi se skuadra e vrasjes me 16 plumba të Besnik Hidës, pasi ka djegur makinën “Fiat Croma” të përdorur në vrasje, është larguar pikërisht me një automjet ngjyrë të zezë Benz-Mercedes “A-Class”.
Makina rezulton në pronësi të Ardian Ahmetaj, shok i Laert Haxhiut dhe është mjeti që ditën e vrasjes së Hidës, ka ndjekur nga pas automjetin tip “Fiat Croma”. Itinerari i ndjekjes është pikasur përmes analizimit të kamerave të bizneseve nga zona e Çermës deri në Lushnjë. Pikërisht “A-Classi” është përdorur për të transportuar tre autorët e krimit, nga vendi ku dogjën makinën “Fiat Croma” në drejtim të Tiranës.
Sipas hetimit vrasja e Besnik Hidës, është organizuar nga Laert Haxhiu, pasi Hida së bashku me Fatos Latifin, ishin dy njerëzit që po interesoheshin në mënyrë të vazhdueshme në polici dhe prokurori, për të identifikuar dhe arrestuar autorët e vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ngjarje kjo e ndodhur në 11 Tetor 2017 në Lushnjë. Viktima Besnik Hida, ishte një tregtar makinash në Lushnjë dhe daja i Zamir Latifit, të riut që u vra aksidentalisht në Lushnjë, teksa shënjestër e ekzekutorëve ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bare. Hida u vra teksa po konsumonte kafe në verandën e një lokali në Lushnjë, ndërsa pamjet dramatike të vendngjarjes tronditën banorët e Lushnjës.
Sa i përket vrasjes së Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në Lushnjë në 2017, SPAK ka kërkuar burg përjetë për Laert Haxhiun, i cili aktualisht ndodhet në burgjet greke. Laert Haxhiu u arrestua në Janinë në maj të vitit të kaluar, 6 vite pas krimit të rëndë ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi. I riu mbante dokumente të falsifikuara, ku prezantohej me emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji. Ai ka kundërshtuar ekstradimimin drejt Shqipërisë, me pretendimin se i rrezikohet jeta. Më herët Gjykata ka dënuar me burgim të përjetshëm dhe bashkëpunëtorin e Haxhiut në vrasjë, Orges Bilbili./ZËRI