TIRANË- Seanca për dosjen "Partizani" është shtyrë për në datën 12 janar, pasi kryedemokrati Sali Berisha, ka kërkuar që të vijojë parashtrimet e tij. Në seanën e sotme në GJKKO, ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe të 3 të pandehurve të tjerë, avokatët e kryedemokratit bënë parashtrimet e tyre. Sipas avokates Klodian Gjyzari, SPAK nuk sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Berisha, ndërsa shton se bëhet fjalë për qëllime politike.
“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri”, tha avokatja Klodiana Gjyzari.
Në këtë çështje janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 6 persona të tjerë. Dosja “Partizani” ndodhet në fazën e parashtrimeve paraprake të palëve. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha./ZËRI