
TIRANË- Ymer Marku, ish-kreu i Komunës së Bërxullës, e po ashtu edhe kandidati i Lulzim Bashës për Vorën është vendosur në prangat e Policisë. Sipas Prokurorisë së Tiranës, ai bashkë me 3 persona të tjerë tjetërsuan 7500 metra katrorë tokë, e cila iu shit për 10 milionë lekë të reja kompanisë "Alko Impex Construction", në pronësi të Arbër Abazit. Por duket se ky nuk është rasti i vetëm.
Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se ndaj tij është nisur një hetim pasuror për “shpërdorim detyre” dhe për "pastrim të produkteve të veprës penale”.
Kjo pasi ka dyshime se Marku e ka fshehur pasurinë e tij tek vëllezërit dhe nipërit e tij. Mes pasurive që prokurorët besojnë se i përket Ymer Markut, është dhe resorti “King” që ndodhet në zonën e Bërxullës.
Por nuk është i vetmi që po i hetohet pasuria. Filtrit të Prokurorisë nuk i kanë shpëtuar as Kujtim Ballliu dhe kryeplaku Agim Loci. Kjo pasi është gjetur një tjetër dokument që vërteton një tjetër tjetërsim toke që i ka kaluar të njëjës kompani, e zotëruar nga nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arbër Abazi, Sadri Abazit.

Siç edhe duket nga dokumenti, vetëm në një rast, Abazi është bërë pronar i 10 mijë m2 toke pranë rrugës kryesore, e cila ka qenë e regjistruar si "tokë arë". Kjo tokë është blerë për 43 milionë lekë të vjetra. Edhe në këtë rast notere është Arjana Mallkuçi.
Tokën ia ka blerë një personi nga Kukësi, Tahir dhe Fidarie Cena, i cili nuk dihet se si e ka përfituar. Ky rast është denoncuar nga banorët e zonës, por nuk është i vetmi. Kjo pasi aktualisht në Prokurorinë e Tiranë ka 5 procedime penale për tjetërsimin e pronave në ish-Komunën Bërxullë./ZËRI