
TIRANË- Një dokument i ri është nxjerrë në media për prokurorin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Ols Dado. Sipas dokumentit që është bërë publik sot, Ols Dado në vitin 2021 është bërë përfitues direkt i një leje ndërtimi në Tiranë.
Dokumenti thotë se kryebashkiaku tashmë i arrestuar Erion Veliaj ka dhënë leje për një objekt banimi 9 katësh me 2 kate nëntokë në njësinë administrative nr.10, në rrugën e Bogdanëve. Por nuk është përfituesi i vetëm.
Leja e ndërtimit është dhënë për: “Godinë banimi dhe shërbim 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 kate, me dy kate parkim nëntokë në pronë të Terezina Adhami, Ols Dado, Zef Berisha, Eduard Berisha, Ana Shkreli, Franc Berisha, Frederik berisha, Karmelina Berisha, Mike Berisha, Terezina Berisha, Xhilda Berisha, Atnand Dema, Roland Roshi, Xhuljana Karruku”, me sipërfarë trualli që zhvillohet 712 m2.
Pas publikimit të dokumentit, ka pikëpyetje nëse Dado ka qenë në konflikt interesi për të hetuar kryebashkiakun, i cili aktualisht ndodhet në pranga. Por Dado nuk është i vetmi që ka hetuar çështjen, pasi është mbështetut edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Megjithatë për detajet e çështjes ende nuk ka një sqarim zyrtar nga ana e SPAK për median dhe publikun; a është në konflikt interesi Ols Dado? Apo çdo procedurë për hetimin e Veliajt ka qenë konform ligjit?
Kryebashkiaku Erion Veliaj po njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI