
TIRANË- Gazetari i emisionit Piranja, Freard Rista, është përballur pak ditë më parë me një sulm fizik, në qytetin e Vlorës, teksa ishte duke ushtruar detyrën e tij, pas shqetësimit të një qytetareje, e cila denonconte një subjekt privat se hidhte mbetjet në tokën e saj. Sulmi i tij është dënuar nga Unioni i Gazetarëve, ndërkohë që më poshtë është dhe shpjegimi i rastit për të cilin gazetari së bashku me stafin e tij, kanë rënë pre e dhunës, edhe pse ishin lehtësisht të identifikueshëm që ishin duke bërë punën e tyre.
Më datë 18 qershor 2024, stafi i emisionit udhëtoi drejt qytetit të Vlorës pas një denoncimi të marrë nga zonja Sabihe Likaj, e cila pretendonte se punonjësit e subjektit “Serena Furniture”, në pronësi të z.Dorisen Çepaj, hidhnin prej një kohe të gjatë mbetje, inerte, dhera në tokën e saj, ndërsa kjo e fundit nuk kishte gjetur zgjidhje te institucionet kompetente si Policia e Vlorës dhe IKMT, rajoni Vlorë.
Pasi u dëgjua versioni i zonjës Likaj, në orët e para të paraditës së 18 qershorit i gjithë grupi i xhirimit mbërriti në subjektin “Serena Furniture”, në rrugën Hoshëtimë në fshatin Panaja, Vlorë, për të takuar nga afër z.Çepaj, për të dëgjuar edhe versionin e tij lidhur me konfliktin mes dy palëve. Në momentet e para të përballjes me të, Dorisen Çepaj mbylli derën e subjektit duke mos lejuar grupin e xhirimit brenda. Pas disa minutash dera u hap sërish dhe grupi i xhirimit u përball me z.Dorisen Çepaj, i cili që në momentet e para përdori fjalë fyese dhe kërcënuese ndaj gazetarit dhe operatorit. Ai tentoi të rrëmbejë mikrofonin e gazetarit si dhe tentoi ta qëllojë në fytyrë.
Më pas Dorisen Çepaj kapi dhe nxorri me forcë gazetarin jashtë hollit të subjektit të tij dhe në ato çaste rrëmbeu kamerën e operatorit dhe e përplasi në tokë duke e thyer. Të njejtën gjë bëri edhe me mikrofonin. Edhe pse mjetet e punës së grupit të xhirimit u dëmtuan, ai e përsëriti këtë gjë disa herë duke i bërë sendet të pariparueshme. Dorisen Çepaj edhe pse kamera u thye, e mori me forcë dhe u largua përreth objektit të tij. Gazetari Freard Rista iu vu pas duke i bërë thirrje të ndalojë dhe të dorëzonte kamerën në të kundërt do të njoftonte Policinë, por ai nuk ndaloi.
Në pjesën e pasme të objektit të tij ai qëlloi gazetarin me gurë në këmbën e djathtë, u largua, hoqi kartën memorien e kamerës dhe këtë të fundit e përplasi sërish në tokë. Pas këtyre veprimeve gazetari njoftoi Policinë e Vlorës e cila u paraqit brenda pak minutave në vendngjarje. Duke qenë se stafi konstatoi mungesën e kartës së memories në kamer, gazetari sërish vijoi të kërkonte z.Çepaj për t’i marrë kartën e memories. Të dy u përballën në ambjentet e brendshme të objektit të z.Çepaj, ku ky i fundit i bëri veprime të pahijshme, fyese, si dhe i bëri me shenjë gazetarit një litar rreth qafës dhe shenjën e mbytjes, duke e kërcënuar me varje, si dhe me shprehi buzësh “do të të vras”. Në ato çaste, i shoqëruar edhe me një person tjetër, z.Dorisen Çepaj u largua me automjetin e tij.
REAGIMI I UNIONIT TË GAZETARËVE
Aktet e sjelljes agresive, të refuzimit të dhunshëm si dhe kërcënimeve prej individë, subjekte tregëtare dhe persona të ndryshëm që kanë atribute si administratorë të subjekteve me veprimtari tregëtare e publike, ndaj reporterëve dhe kryesisht atyre investigues, janë shtuar ndjeshëm. Pranë UGSH, për periudhën e dy muajve të fundit, janë denoncuar gjashtë raste të ndodhura ndaj kolegëve të emisioneve dhe mediave të ndryshme. Në datën 18 qershor 2024, përmes imazheve të publikuara në emisionin “Piranjat” u denoncua dhuna fizike dhe verbale ndaj reporterit Freard Rista, madje edhe goditja e tij me sende të forta si dhe dëmtimi i mjeteve të punës së gazetarit.
Dhunë u ushtrua edhe ndaj operatorit të emisionit në fjalë, i cili njëherësh mundësoi ruajtjen e sekuencave dhe imazheve të kësaj ngjarjeje tronditëse. Kallzimi zyrtar i bërë nga reporteri Rista, ndaj personave të dhunshëm, pasoi me nisjen e procedimit juridik ndaj personave të akuzuar, ndonëse ende procesi gjykues mbetet i panisur.
Ndërkohë që më herët, një tjetër ankesë për kërcënim dhe gjuhë intimiduese pranë UGSH ka ardhur edhe prej reporteres R.Cerga e emisionit “Vetting”, e cila e disponon të regjistruar dialogun dhe këmbënguljen intimiduese të personit në intervistim.
Në harkun kohor të kësaj periudhe dy mujore, denoncime për agresione të tilla ndaj reporterëve ka pasur edhe prej disa mediave dhe emisioneve investigative si dhe atyre online si dhe vendore. Në këto denoncime theksohet fakti i dhunës në rritje qoftë si agresivitet verbal ashtu edhe si cënim i integritetit fizik të gazetarëve. Madje në pesë raste ka sulme mbi mjetet dhe logjistikën e reporterëve në detyrë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ngre zërin ndaj institucioneve ligjzbatuese për një reagim të shpejtë në kohë dhe vënie në çdo rast para përgjegjësisë ligjore të agresorëve dhe kërcënueseve të reporterëve.
Rastet e përmendura edhe pse janë denoncuar pranë organeve ligjore, vijojnë të mbeten në pezulli dhe në procedim pa afat kohor, gjë që lenë hapësirë për nënvleftësim dhe lënie në kalenda.
UGSH ndaj këtyre rasteve jo vetëm që ngre zërin, por duke qenë besnik i solidaritetit të përhershëm me kolegët e terrenit, kërkon që denoncimet publike të jenë edhe juridike, madje të publikohen nga të gjitha mediumet. Ndërkohë që apelojmë për ndjekje rigoroze të proceseve të nisura dhe shtim të vëmendjes së të gjitha organizatave. Këmbëngulja jonë konsiston në faktin që askush të mos lihet jashtë përgjegjësisë ligjore. Personat që janë protagonistë apo pjesëmarrës në akte kërcënuese e aq më tepër dhunuese ndaj gazetarëve, meritojnë ndëshkim të pashmangshëm ligjor.