
TIRANË- Babai i Martinit, 14-vjeçarit që u vra me thikë të hënën pas sherrit me Mario Përlleshin, rrëfeu bisedën e fundit që kishte me të birin. Në një intervistë për emisionin Top Story, ai tregoi se para se të shkonte në shkollë 14-vjeçari i kishte kërkuar para për të blerë tost.
“Një ditë para se të shkonte në shkollë më tha do më japësh një 2 mijë lekësh, do marr një tost s’do marr gjëra të shtrenjta. Çdo shok i tij, çdo komshi thoshte që Martini ishte i bukur, i çiltër, talent, dëshira e tij ishte futbolli mësimet, bëhu futbollist i thoja do të të ndihmojë babi,”- rrëfeu Ëngjëll Cani.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ndodhi të hënën. Të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë./ZËRI