
TIRANË- Djali i Tom Doshit ka përplasur një çift bashkëshortësh teksa qarkullonte me mjetin e tij në Lezhë. Disa ditë më parë, një prej djemve të ish-deputetit të Partisë Social-Demokratike, Tom Doshi, James ka shkaktuar një aksident në fshatin Gajush të Lezhës, ngjarje e cila nuk është raportuar nga Policia e Shtetit. ZËRI ka zbuluar se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur, pronari i hotel "Gjuetia", Viktor Jushi dhe bashkëshortja e tij, e cila ka marrë dëmtimet më të rënda, por është jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet e kryera më pas ka rezultuar se djali i Doshit, edhe pse ka qenë fajtor për aksidentin, është favorizuar nga "blutë" e Lezhës dhe është lënë i lirë që të marrë mjetin dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.
Por duke qenë se hetimet për aksidentin kanë vijuar, Prokuroria e Lezhës dalë në përfundimin se i riu është favorizuar nga Policia, e cila nuk ka kryer veprimet për ndalimin e tij konform ligjit, ndaj edhe ka regjistruar një procedim penal për "shpërdorim detyre". I pari që e ka "pësuar" për vendimin e marrë është shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula. Ky i fundit është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, por nuk do të jetë i vetmi që do të futet në "filtër".

Me vendim të Prokurorisë së Lezhës, nën hetim është e gjitha struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lezhës me kërkesë të prokurorit të çështjes, Sabri Kastrati. Ndaj, në funksion të këtij hetimi, organi i akuzës pritet të zbardhë edhe tabulatet telefonike mes drejtuesve dhe oficerëve të Policisë së Lezhës, për të kuptuar rolin e secilit dhe veprimet që kanë ndërmarrë për të sfumuar aksidentin.

Nëse bisedat telefonike do të zbardhin diçka më shumë, do të jetë Gjykata e Lezhës ajo që do të vendosë nëse çështja do të gjykohet atje, apo do t'i kalojë për moskompetencë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nëse ndodh kjo, do të thotë se ka gjetje që ka qenë vetë Doshi që ka ndërhyrë për lirimin e të birit, por ende nuk dihet forma dhe mënyra./ZËRI