TIRANË- Për të 74-tën ditë radhazi, qytetarët janë mbledhur këtë të mërkurë në sheshin “Skënderbej”, duke vijuar protestën.
Pas grumbullimit në shesh, protestuesit kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me pankarta në duar dhe thirrje të ndryshme.
Në protestën e kësaj mbrëmjeje janë bashkuar qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët vijojnë të shprehin të njëjtin qëndrim dhe kërkesat e tyre përballë qeverisë.
Marshimi pritet të vijojë drejt Kryeministrisë, ku, ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestuesit pritet të mbajnë fjalimet e tyre dhe të përcjellin mesazhet e radhës.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI