Aktualitet

Dita e 58-të e protestës kombëtare! Qytetarët 'stacionohen' para Kryeministrisë

Në përfundim të tubimit para Kryeministrisë, protestuesit do ta mbyllin protestën me marshimin e tyre të përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës.

M.K.
Dita e 58-të e protestës kombëtare! Qytetarët
Foto nga protesta

TIRANË- Pasditen e kësaj të hëne, në orën 19:00, u numërua dita e 58-të e protestës kombëtare, ku qytetarë nga zona të ndryshme të vendit u mblidhën sërish përpara godinës së Kryeministrisë për të shprehur qëndrimet e tyre.

Ashtu si në protestat e mëparshme, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në sheshin 'Skënderbej', ku vijuan më pas marshimin drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit 'Dëshmorët e Kombit', duke mbajtur pankarta dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në përfundim të tubimit para Kryeministrisë, protestuesit do ta mbyllin protestën me marshimin e tyre të përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës.

Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI

Poll

MOS HUMB