Aktualitet

Digjet prej 6 ditësh Mali i Thatë, rrezikohet Parku Kombëtar i Prespës

Për të shuar këto flakë në zonë janë 60 forca, 30 prej të cilëve pjesë e Forcave të Armatosura. Vatrat e zjarrit janë shfaqur disa ditë më parë kryesisht në territorin e Maqedonisë së Veriut.

k.m.
Digjet prej 6 ditësh Mali i Thatë, rrezikohet Parku Kombëtar i
Foto ilustruese

KORÇË- Prej 6 ditësh tashmë vazhdon zjarri në malin e Thatë, por flakët tashmë rrezikojnë përhapjen në pyjet e parkut kombëtar të Prespës. Për të shuar këto flakë në zonë janë 60 forca, 30 prej të cilëve pjesë e Forcave të Armatosura. Vatrat e zjarrit janë shfaqur disa ditë më parë kryesisht në territorin e Maqedonisë së Veriut. Por, së fundmi flakët kanë kaluar edhe në territorin shqiptar.

Drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Arben Cara në një deklaratë për mediat pas inspektimit të zjarrit të madh tha se vatrat po mbahen nën kontroll, edhe falë ndërhyrjes së helikopterit. Po sipas tij, nëse gjatë pasdites nuk do të ketë erë, vatrat e zjarrit mund të shuhet në mënyrë që të mos preket Prespa, e cila është dhe zonë e mbrojtur.

“Situata vazhdon me vatrën e zjarrit aktive prej 5 ditësh, edhe pse kemi ndërhyrë nga toka dhe ajri, duke qenë se shtrirja është me një perimetër shumë të gjatë, mbetet aktive por me përmasa jo shumë të mëdha. Ajo çfarë na bën të vazhdojë është se kemi të bëjmë me një sipërfaqe shkurre, ferra, bar të thatë, të cilën është e pamundur ta menaxhosh me mjete rrethanore dhe për këtë arsye, dje kemi aktivizuar helikopterin “Cougar” i cili ka punuar për një kohë të gjatë dhe ka bërë të mundur mbylljen e një vatre zjarri me perimetër goxha të gjerë. Presim dhe ditën e sotme sipas situatës, pasi forcat operacionale të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, ku do na japin dhe një informacion më të detajuar që të vemë në lëvizje përsëri helikopterin, dhe për ta mbajtur nën kontroll situatën. Ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit kemi aktivizuar rreth 80 forca operacionale nga MZSH, tre bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec, në ndihmë të bashkisë Pustec pranë zjarrfikësve të Pustecit, forca operacionale nga ushtria, agjencia e zonave të mbrojtura, forca të emergjencave civile të cilat aktualisht janë duke shkuar tek vatra e zjarrit e cila kërkon të pakten një kohë minimumi prej tre orësh në këmbë. Pasi forcat operacionale të dislokohen, të shohin situatën në vendin e ngjarjes, do të na japin një informacion të detajuar sa i përket zhvillimit të kësaj vatre dhe më pas do merret një vendim nëse do të kërkohet një ndërhyrje e specializuar nga ajri ashtu si edhe ditën e djeshme e kemi bërë, apo është e mundur të lokalizohet brenda ditës së sotme deri në orët e vona të darkës. Nëse era do të na favorizojë që të mos jetë aktive gjatë ditës, situata e zjarrit mund të ndërpritet dhe mali i Prespës mos preket nga vatra e zjarrit. Nëse era do ta favorizojë është e mundur që zjarri mund të depërtojë në Prespë e cila është dhe zonë e mbrojtur, por drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri që zjarri mos depërtojë në malin e Prespës pasi do të na krijonte probleme më të mëdha sa i përket lokalizimit dhe menaxhimit të saj,"-tha ai. 

Sipas informacioneve paraprake momentalisht e përfshirë nga flakët është bimësia e ulët, ndaj pritet që edhe ditën e sotme të ketë operacion me helikopter nga ajri./ZËRI

Poll

MOS HUMB