
GREQI- Një telefonatë e 15-vjeçarit në Polici, ku denonconte dhunën e babait ndaj nënës së tij, por edhe ndaj vetes, çoi në arrestimin e një 50-vjeçari në Selanik. Mediat vendase raportojnë se i mituri denoncoi një tjetër incident të dhunës në familje ndaj nënës së tij 44-vjeçare. 15-vjeçari gjimnazist mori një telefonatë dje nga një mik i familjes, i cili ishte kontaktuar më herët nga nëna e tij, ku kjo e fundit ankohej se nuk ndihej mirë.
"Mendova se babi e goditi sërish mamin dhe menjëherë telefonova 100. Isha larg dhe mendova se nuk do t'ia dilja me kohë. Ndjehem se duhet të mbroj nënën time. Kur jam larg shtëpisë, mendja më ri vazhdimisht aty”,-ka dëshmuar në polici i mituri, duke shprehur dëshirën që babai të largohet nga shtëpia “që të qetësohemi”.
Ndërkohë nëna e 15-vjeçarit tha në polici se në vitin 2018 bashkëshorti i saj ishte arrestuar sërish për dhunë në familje që ndodhi në sy të djalit të tyre, i cili në atë kohë ishte vetëm 9 vjeç. Ishte djali sërish ai që lajmëroi policinë. Më pas, 50-vjeçari e kishte goditur fort me grushte në kokë, siç tha ajo. Ajo u ankua gjithashtu se në vitin 2021 ushtron dhunë ndaj saj dhe fëmijës së tyre të mitur, duke i rrahur dhe duke i shkelmuar.
“Kjo ndodh një herë në muaj apo më shumë. Për shembull, kur fëmija vjen natën në shtëpi dhe partneri im është i dehur, ai e godet. Unë e dua atë, nuk dua që ai të shkojë në burg”,- tha ajo, duke theksuar se nuk dëshiron që burri i saj të ndiqet penalisht.
Edhe pse burri i saj u arrestua dhe të premten pritet të gjykohet për akuza të rënda për dhunë në familje ndaj saj dhe fëmijës së tyre, 44-vjeçarja duke folur për protothema.gr deklaron se e do atë dhe se nuk dëshiron të shkojë në burg sepse “është turp”, duke ia atribuar fajin e dhunës, alkoolit.
“Burri nuk më godet çdo ditë, por një ose dy herë në muaj, kur pi dhe nuk e kupton se çfarë bën. Ne zihemi dhe të nesërmen më thotë ‘Më fal, të dua’. Unë gjithashtu e dua atë. Unë nuk dua që ai të shkojë në burg, është turp. Më vjen keq për të, ai ka problem me alkoolin dhe kur nuk pi është njeri i mirë”, thotë ajo.
50-vjeçari shqiptar, i cili ndër të tjera akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe më herët ka qenë i dënuar me burg është arrestuar. Sipas informacioneve, ai më parë është deportuar nga vendi dhe është kthyer ilegalisht./ZËRI