
TIRANË- Pas skandalit në Oborrin Mbretëror një tjetër reagim ka ardhur nga Elia Zaharia. Në një intervistë për "Breaking" ajo tregon me detaje situatat e dhunës me Princ Lekën. Reagimi i saj pas videos që qarkulloi kudo në rrjet, sipas Elias, ka ardhur në mënyrë për të mbrojtur babain, i cili kishte 10 ditë që po kujdesej për vajzën e saj të vogël. Elia vijoi më tej duke thënë se po jeton në Pallatin Mbretëror pasi ish-bashkëshorti i saj e braktisi.
“Të jesh e bindur që më panë sytë babin të sulmohej dhunshëm dhe mu gris shpirti. Të gjitha provat e dhunës janë në trupin e tij e prokuroria e gjykata i disponon të gjitha. Ti them këto pasi është e rëndësishme që njerëzit që më mbështetën publikisht, duke marrë edhe koston e urrejtjes së partizanëve të palës tjetër, të dinë në thelb që po mbrojnë një njeri që ‘u hodh në fyt’ në mbrojtje të prindit. Asnjë çështje prone nuk ka në mes, çdo gjë është e përcaktuar.
As uzurpim nuk ka, unë me vajzën jetojmë në shtëpinë familjare të cilën ai e braktisi, e kjo deri sa apartamenti që i dha vajzës të ndërtohet! E gjitha kjo sipas kodit të familjes ku mendohet interesi më i lartë i fëmijës. Babai im kishte 10 ditë që kujdesej për mua e për vajzën, se kam qenë me temperaturë e nuk kujdesesha dot. Çfarë nuk me kanë dëgjuar veshët këto ditë! Unë nuk kam as parti, as partizane, që të dalin të më mbrojnë, kam vetëm të vërtetën time”, deklaroi Elia.
Ç'ndodhi në Oborrin Mbretëror?
Princ Leka dhe Elia Zaharia pak muaj më parë zyrtarizuan procedurat e divorcit, ndërsa së fundi ata ishin protagonist të një konflikti fizik mes tyre. Dyshohet se shkak për agravimin e situatës është pikërisht ndarja e pronave pas divorcit, pasi aktualisht Elia dhe vajza e saj janë duke jetuar në pallatin mbretëror. Ndërkohë që të dy u pajisën me urdhër mbrojtje nga Gjykata e Tiranës, dhe e kanë të ndaluar që ti afrohen njëri tjetrit më pak se 5 metra./ZËRI