
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur pas operacionit të SPAK, ku në pranga është vënë dhe ish-nëndrejtori i Policisë të Tiranës, Erzen Breçani. Mësohet se në momentin e arrestimit, Breçani ka qenë pranë stadiumit ‘Air Albania’ bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë, i cili po ashtu u arrestua gjatë aksionit mbrëmjen e djeshme. Ata kishin prerë biletat për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe.
Breçani së bashku me djalin e tij, Eralb Breçani akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Ndërsa shefi i Krimeve te komisariati Nr. 6, Dedan Gjoni akuzohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje.
SPAK ka lëshuar mbrëmjen e djeshme 11 urdhër-arreste për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilat janë ekzekutuar 4. Në kuadër të operacionit është arrestuar ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe shefi i Krimeve të Komisariatit nr.6, Dedan Gjoni. Me urdhër të SPAK është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme edhe shtetasi Bujar Gërmizi, një prej personazheve më të njohur të krimit në qytetin e Kukësit dhe shtetasi Besmir Mustati. Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit ndodhet në arrest shtëpie. Gjithashtu urdhër-arrest është lëshuar për Ervin Matën, i cili është shpallur në kërkim, djalin e Ervin Breçanit, Eralbi Breçani, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit të krimit./Zëri.ai/