
ZVICËR- Një shqiptar është dënuar me nëntë vite burg në Zvicër. 37-vjeçari mësohet se ka qenë “bosi zviceran” i mafies shqiptare të drogës. Gjykata foli për një "sasi pothuajse të paimagjinueshme të lartë kokaine" që u tha se ai e kishte trafikuar. Sipas autoriteteve, ai trafikoi 82 kilogramë kokainë në të gjithë Zvicrën nga Reiden para arrestimit. Droga dhe të gjitha udhëzimet e punës kanë ardhur nga Shqipëria, shkruajnë mediat e huaja.
I akuzuari kishte hyrë në borxhe në bastet sportive në Shqipëri pastaj kishte marrë një ofertë nga pronari i basteve për të punuar tek ai si shpërndarës droge në Zvicër. Në gjashtë muaj ai kishte bërë 3.5 milionë franga me shitjen e drogës. Ai merrte 3000 franga në muaj si rrogë. Prokurori publik shpjegoi se ai ishte organizatori i rrjetit të drogës në Zvicër dhe furnizonte pjesë të mëdha të Zvicrës me kokainë. /ZËRI