
KORÇË- Një sherr i nisur para dy javësh mes adoleshentëve në Korçë përfundoi me djegien e dy makinave në orët e para të mëngjesit të sotëm. Fillimisht katër të rinjtë mësohet se janë konfliktuar me dy pronarët e mjeteve kurse ditën e sotme u dogjën makinat. Konflikti dyshohet se ka nisur për një vajzë. Katër të rinjtë të cilët dyshohet se kanë djegur një makinë në orët e para të mëngjesit, janë arrestuar. Në pranga ka rënë një 18-vjeçar, dy 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar. 18-vjeçari i arrestuar është Kristo Sharko.
Në pamjet e siguruara nga ZËRI, shihni katër të rinjtë që i vënë flakën makinës së parkuar në Korçë. Siç mund të shihet ata janë të maskuar, afrohen tek automjeti dhe e lyejnë me benzinë. Më pas i vënë flakën. Makina ka shpërthyer në pak sekonda ndërsa ata shihen duke vrapuar. Pasi kanë djegur makinën e parë ata janë larguar dhe kanë shkuar në vendin ku ka qenë e parkuar makina tjetër. Mjetet kanë qenë në pronësi të personave të ndryshëm.
Gjyshja e një prej personave që iu dogj makina ka treguar momentin se si e morën vesh ngjarjen. Ajo tha se është lajmëruar nga komshija për zjarrin ndërsa shton se autorët kishin një konflikt me nipin.
Gjyshja: Na lajmëroi komshija. Shpejt tha se zjarri. U ngrit nipi, e shuajtem vetë. Kishin bërë llafe, me disa djem.
Njoftimi i policisë:
Më datë 19.03.2024, rreth orës 02:00, në lagjet nr. 4 dhe 14, Korçë, ka rënë zjarr në automjetet e shtetasve G. C., dhe J. G., ku si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, ku nga veprimet e para hetimore u identifikuan autorët e dyshuar të ngjarjes. Konkretisht shtetasi K. Sh., 18 vjeç; dy 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të kenë djegur automjetet pas një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur rreth dy javë më parë, me pronarët e automjeteve G. C. dhe J. G. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore, djegien e 2 automjeteve, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjet nr. 4 dhe 14, Korçë, specialistët për Htimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin K. Sh., 18 vjeç, dy shtetas 17 vjeç dhe një shtetas 16 vjeç, banues në Korçë. Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe tërësia e provave të siguruara dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë djegur me zjarr, në lagjen nr. 4, automjetin tip "BMË" të shtetasit G. C., 20 vjeç, dhe në lagjen nr. 14, automjetin tip "Benz", të shtetasit J. G., 18 vjeç".
Policia e Korçës bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit, ku katër të rinjtë i kanë vënë zjarrin dy makinave. Raportohet se katër autorët rreth dy javë më parë janë konfliktuar për motive të dobëta me pronarët e automjeteve, të identifikuar me inicilate G.C dhe J.C. /ZËRI