
TIRANË- Kreu i Komisionit Parlamentar për Sigurinë, por edhe ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për më shumë se një orë e gjysmë, i paraqitur vetëm në SPAK, pa praninë e avokatëve, Naço është marrë në pyetje nga hetuesit e SPAK, ndërsa disa detaje i ka ndarë edhe me gazetarët e mbledhur para institucionit.
"U thirra për çështjen CEZ-DIA,"-tha Naço.
FJALA E PLOTË PARA MEDIAVE:
Nasip Naço: Nuk do të doja të isha sot këtu. Fakti që jam sot këtu, fakti i marrëdhënieve të mia me publikun; skeptikët apo ziliqarët le të më hedhin baltë apo qëllojnë me gurë, s’i kam marrëdhëniet me ata, i kam me qytetarët. Unë jam thirrur për të deklaruar në lidhje me një çështje penale që ka të bëjë me kompaninë ÇEZ në Shqipëri. Sigurisht që në atë kohë kam mbajtur një qëndrim korrekt dhe ligjor dhe unë kam folur me letra, s’kam folur me heshtje. Fakti që në atë kohë, për shkak të abuzimeve që bënte kjo kompani me qytetarët apo edhe me interesat e shtetit, kam ndryshuar 'Ligjin për Energjinë Elektrike' duke nxjerrë jashtë sistemit të energjisë elektrike disa kompani të mëdha në atë kohë që kishin gati 20% të tregut të CEZ-it dhe kjo kompani e kishte më të lehtë të faturonte dhe të komunikonte me ta sesa me qytetarët për të bërë investime në Shqipëri. Ky fakt i kurseu buxhetit 40 milionë euro në atë kohë. Nxorri këtë kompani në treg të lirë dhe ata që notonin në ujëra të turbullta, morën përgjigje që ish-drejtori është shkarkuar nga detyra. Edhe një emër tjetër, Kastriot Ismailaj, që kishte marrëdhënie me kompaninë CEZ, iu ndërpre kontrata dhe besoj që miratimi i ligjit dhe qëndrimi i im në interesin publik ka folur për gjithçka në atë kohë.
U pyetët për ish-presidentin Meta?
Nasip Naço: U pyeta për CEZ dhe atë deklarova. Pjesa tjetër, ju e keni informacionin e duhur dhe ju jeni 3 hapa para. Unë kam punuar vetë dhe besoj në këto institucione. Është një institucion i domosdoshëm si gjithë të tjerët në Shqipëri. Do e kishit marrë vesh po të isha thirrur herë tjetër.
Nasip Naço, aktualisht mban detyrën e kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ndërsa është dhe deputet i qarkut të Beratit nga radhët e Partisë Socialiste. Më herët, 2013-2015, Nasip Naço ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë në kabinetin qeveritar Rama 1.
Dosja e “nxehtë” CEZ-DIA tashmë është rikthyer në SPAK. Afera CEZ-DIA, për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët nisi të zbatohej pas finalizimit të aferës të shitjes tek OSHEE tek CEZ nga qeveria e Berishës. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë së Berishës për privatizimin e 75 përqind të aksioneve të OSHEE nga çekët. Në negociata dyshohet se është përfshirë edhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha./ZËRI