Aktualitet

CEO i Fondit BESA për banorët e Nishtullës: Do i paguajnë kreditë një më një, me gjithë interesa, do i ndjek në përmbarim

Zoti Bajram Muça pranon se ka pasur një mashtrim ku janë përfshirë punonjës të këtij institucioni, që siç thotë ai, nuk është i kulluar dhe se ku është paraja mund të ketë abuzime.

F.m
CEO i Fondit BESA për banorët e Nishtullës: Do i paguajnë
Bajram Muça

TIRANË-CEO i Fondit BESA, Bajram Muça nuk ka ndërmend të falë dhe të zerojë borxhet e asnjë kredimarrësi që është përfshirë në skemën e mashtrimit të të ashtuquajturës ‘sudja’ e Fondit BESA, Albana Imami, të cilët denoncuan shqetësimet e tyre pranë ZËRI-t. ZËRI mbërriti pranë zyrave të Fondit BESA ku zhvilloi një bisedë me zotin Muça, e cila është filmuar nga kamera e ZËRI-t. Zoti Bajram Muça pranon se ka pasur një mashtrim ku janë përfshirë punonjës të këtij institucioni, që siç thotë ai, nuk është i kulluar dhe se ku është paraja mund të ketë abuzime. CEO i Fondit BESA shton se ka qenë vetë ai që e ka denoncuar drejtoresha Imamin, por që deri më tani nuk ka marrë një letër nga gjykata se cilët kanë qenë personat që janë mashtruar. Madje, madje, thekson se është treguar tolerant, duke u ofruar qytetarëve të Nishtullës që të paguajnë shumë më pak se shuma që rezultojnë se kanë aplikuar.

INTERVISTA:

Bajram Muça, CEO i Fondit BESA: Hap numrin e llogarisë në bankë, të vijnë dhe lekët në bankë dhe thotë u mashtrova. Tani këto lekë ndoshta dhe personi mund t’i ketë ndarë ë? këtu mashtrimi ku është?

Gazetari: Ne do të ndalemi specifikisht në rastin e 100 banorëve të Nishtullës, të cilët janë mashtruar nga një ish-vartësja juaj, e cila është dënuar dhe ccështja është mbyllur, por problem është se ata pasojat i vuajnë ende sepse rezultojnë si kredimarrës me shuma nga 6 milion deri në 12 milion lekë. Me të drejtën e tyre thonë cila do të jetë zgjidhja?

Bajram Muça, CEO i Fondit BESA: Unë i kam klientë, unë nuk e di se a janë të Nishtulla, a janë te Rruga e Kavajës, nuk e di sa janë, s’kam info (informacion). Nëqoftëse janë mashtruar, le t’i drejtohen prokurorisë, gjykatave, le të marrin urdhrin e pezullimit, për mua s’ka problem. Pa bërë këto veprime, unë do t’i ndjek një nga një, do t’i ccoj në përmbarim të gjitha. Nëqoftëse ata nuk marrin këtë vendim, me media, me portale, me televizione, unë nuk e mbuloj, po jua them drejtpërdrejtë. Unë erdha vetë, nuk jam nga ata që fshihem. A ka mashtruesa? Tani mashtruesa mund të ketë tek Fondi BESA, nëpër banka, në qeveri

Gazetari: Banorët pretendojnë se ju nuk u vini në dispozicion as kontratën që kanë firmosur?

Bajram Muça, CEO i Fondit BESA: Po përse t’i vë unë kontratën në dispozicion, ajo është kopja ime. Ata shprehen se nuk kemi marrë kopje. Po tani, ç’janë këta njerëz që shkojnë, firmoskan, ose nuk firmosin, s’marrin kontratë…ti vete hap numrin e llogarisë në bankë dhe ke aplikuar për 6 milion, unë si institucion të jap dokumentat për 6 milion, ti tërheq 6, a i ndan 3 me 3, a 5 me a 1 apo 4 me 2, unë s’dua t’ia di. Ti 6 milion, do i paguash një më një bashkë me interesa. Tani këtu unë nuk jam fallxhor, që të them se çfarë ke bërë ti me ato lekë. Ti edhe mund të hipësh në autobus edhe të t’i vjedhin, si do thuash? Nëqoftëse ai thotë, mi ka marrë Bajram Mucca, më ka pritur tek banka dhe mi ka marrë, atëherë le të bëjë denoncim për mua. Nuk po them se është institucion i kulluar më kupton, se atje ku ka para ka dhe abuzime. Ti nëqoftëse do të më japësh mua emër mbiemër, unë të nxjerr të gjitha të dhënat, nuk mund të gjej videot sepse ajo ka vite dhe aq i mbajmë, sipas rregullave, 3 muaj, 36 muaj. Të nxjerr letrat, hapjen e llogarisë, tërheqjen që i ka bërë të gjitha, pastaj unë nuk e di se ku i ka çuar paratë, që i ka ndarë, këtë s’e di as ti.

Gazetari:Në rastin e banorëve të Nishtullës, ish-vartësja juaj është dënuar, ndërkohë që ata rezultojnë kredimarrës të këqinj. Është e drejtë kjo në rastin që është dënuar dikush për mashtrim?

Bajram Muça, CEO i Fondit BESA: Duhet të kesh parasysh, të gjithë ata njerëz që janë përfolur në këtë listë, ne kemi qenë shumë tolerantë. Në rast se ka pasur për të paguar 5 lekë, i kemi thënë hajde paguaj 2-3 diccka të tillë, që të mos e mbaj të gjithë koston unë, por ti more vëlla se je bashkëpunëtor. Unë nuk i fal, e them këtu, në televizion, kudo. Unë do të vazhdoj me logjikën që duhet.  Si s’mbake përgjigjësi ti? Po politikanët pse mbajnë përgjegjësi për korrupsion aktiv e pasiv? Më dëgjo mua, duhet të vijnë këtu në institucion, të jenë të përgjegjshëm, të thonë, unë kam bërë gabim. Altini e njeh situatën, t’i takojë, sa kanë marrë, sa kanë paguar. Me thënë të drejtën nuk kemi qenë kaq agresivë. Në përgjithësi CEO-t fshihen, unë nuk fshihem. Unë në fund të fundit, personin që është dënuar, e kam denoncuar vetë punonjësin tim, e kam arrestuar vetë. Jam ballëlartë sepse kam qenë korrekt.

Çështja e banorëve të Nishtullës:

Një ditë më parë ZËRI publikoi rrëfimet e banorëve të zonës së Nishtullës të cilët vijojnë ende të vuajnë pasojat e skemës së mashtrimit të të ashtuquajturës “Sudja” e Fondit Besa, Albana Imami e cila u shpall fajtore dhe u dënua bashkë me një sërë emrash të përfshirë.

Të gjitha viktimat e kësaj skeme që u nisën të merrnin 300-400 mijë lekë të vjetra për bamirësi përfunduan kreditorë tek Fondi Besa me të paktën 6 milionë lekë të vjetra secili. Por edhe pse vitet kanë kaluar dhe autorët janë ndëshkuar, qytetarët e kësaj zone janë ende debitorë dhe nuk mund të rifinancohen nga asnjë bankë. Kushti për rifinancim është shlyerja e gjithë kredisë bashkë me kamatëvonesave që shkon deri në vlerë 10 apo 12 milionë lekë të vjetra.

Të gjendur në këtë situatë, ata denoncuar pranë redaksisë së ZËRI-t dhe kërkojnë drejtësi. Një nga një, rrëfejnë se kanë shkuar në dyert e Fondit BESA dhe kanë kërkuar shpjegime nisur nga fakti që dosja e bujshme e vitit 2019 është mbyllur nga drejtësia dhe mashtruesit janë ndëshkuar, e për rrjedhojë ‘viktimat’ e vetme të historisë nuk mund të vijojnë të paguajnë krimet e ish-vartësve të këtij institucioni.

Historia e skemës mashtruese:

Mbi 800 qytetarë ranë pre e skemës mashtruese me kreditë, që u zbuluan nga Policia duke vënë në pranga 7 punonjës të fondacionit BESA në Tiranë, mes tyre dhe drejtoresha e Fondit BESA, Albana Imami që kanë marrë mbi 4 miliardë lekë. Të arrestuarit, vetëm me anë të kartës së identitetit bënin që qytetarë të ndryshëm të aplikonin për kredi për shuma të mëdha, ua aprovonin ato, por qytetarëve u jepnin vetëm shuma të vogla, nga 10 mijë deri në 40 mijë duke i justifikuar si fonde bamirësie apo në disa raste dhe si kredi të vogla për të cilat kishin aplikuar vetë qytetarët. Por, shifra për të cilën ishte aplikuar nuk ishte ajo që qytetarët merrnin në dorë. Qytetarët paraqiteshin në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe u dorëzohej vetëm një pjesë. Pjesa më e madhe e parave përfitohej nga Drejtoresha e Degës, Albana Imami dhe bashkëpunëtorët e saj./ZËRI

Poll

MOS HUMB