
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjedhur këtë të enjte treshen e gjyqtarëve, që do të shqyrtojnë ankimimin e bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri. Trupa gjykuese do të përbëhet nga: Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (Anëtar), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare). Data e zhvillimit të seancës nuk është vendosur ende.
NJOFTIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 08.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 32 akti, mbi ankimin e ankuesve/të pandehur Dh.A.B. dhe P.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtor të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 të Kodit Penal. Sipas shortit të datës 09.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (Anëtar), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare).
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, por prangosja dhe dënimi i tij ka acaruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pala greke pretendon se e gjitha po bëhet për të "mbytur' minoritetin grek në Shqipëri, akuza që i ka rrëzuar vetë kryeministri Edi Rama./ZËRI