
SHUSHICË- Banorët e Shushicës janë ngritur këtë të martë në protestë pasi prej dy javësh, kanali vaditës që i furnizon me ujë është i bllokuar. Kjo i ka përballur me thatësirë duke rrezikuar dhe prodhimet bujqësore. Sipas tyre shkak për këtë të është bërë ndërtimi i një HEC-i. Ata shprehen se kanali vaditës duhet të qëndronte mbyllur deri më 15 Maj, por tashmë jemi larg prej kësaj date dhe kanali vijon të jetë i bllokuar.
Banorët shprehen se nëse kjo gjë nuk zgjidhet atëherë prodhimet e tyre bujqësore do të thahen ndërsa ata do të përballen me falimentin. Në krah të banorëve qëndronte dhe kreu i Njësisë Administrative, ndërsa pranë banorëve shkoi dhe një përfaqësues i firmës që po kryen punimet. Ky i fundit u premtoi banorëve se uji do të rikthehet brenda dy ditëve.
Ndërkohë një reagim ka pasur dhe Bordi i Kiullimit. Ky i fundit bën me dije se kanali vaditës është në funksion të plote për ujitje, por ka një problem për çuarjen e ujit tek vepra e marrjes, pasi si pasoje e reshjeve kanë shkarë dy masive me gurë dhe kane bllokuar kanalin hyrjes. Më tej shtohet se punimet po kryen me krahë, pasi mjetet e kanë të vështirë futjen në zonë./ZËRI