
ITALI-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugët e Milanos, Itali, ku një shtetas shqiptar ka qëlluar me armë drejt fqinjit të tij. Mediat vendase raportojnë se mes shqiptarit 48-vjeçar dhe fqinjit egjiptian, 56 vjeç kishte pasur disa herë sherre, por këtë herë gjithçka ka përfunduar me përdorimin e armëve.
Fillimisht shqiptari kishte marrë një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar disa herë ndaj banesës së fqinjit të tij. Egjiptiani është larguar me vrap nëpër rrugë, por kjo nuk e ka ndaluar emigrantin nga Shqipëria që ta ndjekë atë dhe të qëllojë me armë edhe në rrugë.
Shqiptari nuk është ndalur dhe me një çekiç në dorë, ka nisur të tentojë të thyejë derën e shtëpisë së fqinjit ku ndodheshin gruaja, dy vajzat dhe mbesa katër muajshe, duke kërcënuar se do të vriste të gjithë familjen. Policia është vënë në alarm dhe ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje, duke arritur të zgjidhë situatën dramatike brenda një kohe të shkurtër. Shqiptari u dorëzua dhe u arrestua pa bërë rezistencë. /ZËRI