Aktualitet

Bleu aksionet për 35 mijë lekë, pse SPAK nxitoi në arrestimin e Malltezit: Tentoi zhdukjen e provave?

Pak më shumë se dy javë nga arrestimi, Malltezi ka kaluar në status në ‘likujdim e sipër’ kompaninë nga e cila llogaritet të ketë marrë mbi 5 milionë euro fitime

E.K
Bleu aksionet për 35 mijë lekë, pse SPAK nxitoi në
Jamarber Malltezi

TIRANË- 16 ditë përpara se të arrestohej, Jamarbër Malltezi kishte depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kërkesën për kalimin e shoqerisë “Homeplan” më status likujdimi e sipër. Sipas SPAK dhe GJKKO kishte rrezik që të dyshuarit përmes kësaj veprimtarie të tentonin që të fshihnin provat, dhe për këtë shkak duket se është lëshuar dhe urdhërarresti ndaj Malltezit.

"Gjykata vlerëson se për shkak të rrethanave të faktit ka rrezik që të hetuarit më sipër të kryejnë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen. Gjykata arrin në këtë konkluzion, duke marrë parasysh faktin se gjatë fazës së hetimeve, të dy të hetuarit kanë ndërmarrë veprime konkrete që kanë për qëllim likuidimin e shoqërisë Homeplan sh.p.k., e cila ka shërbyer ndër vite, si shoqëri për shpërndarjen e përfitimeve.

Kështu, më datë 04.10.2023 është depozituar pranë QKB-së vendimi i datës 03.10.2023 për kalimin e shoqërisë në status "likuidim e sipër" dhe caktim likuidatori. Pas depozitimit të këtij vendimi statusi i shoqërisë Homeplan sh.p.k ka kaluar nga "Aktiv" në "Shoqëri në likuidim e sipër". Duke u bazuar në veprimet e mësipërme të realizuara nga të hetuarit, gjykata çmon se ka rrezik që të hetuarit me sipër të kryejnë krime të rënda ose të njëjta të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen”, thuhet në dosjen e SPAK.

Kompania Homeplan u themelua në vitin 2008 me themelues dhe ortak të vetëm Fatmir Bektashin. Deri në vitin 2018, Bektashi rezultonte pronar i vetëm në kompani, por në këtë vit, një kontratë e vitit 2014 u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të cilën, Bektashi rezulton se ka shitur 60% të aksioneve. Kontrata e shitjes, e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se Malltezi kishte blerë 35% të aksioneve të kompanisë përkundrejt vlerës nominale prej 35 mijë lekësh.

Kjo duket se ka shtyrë prokurorinë të konkludojë se përfitimi i miliona eurove nga kjo kompani nga ana e Malltezit përbën përfitim të paligjshëm ndërsa skema e shitjes së aksioneve me vlerë nominale përbën mekanizmin e përdorur për fshehjen e transaksionit për pagesën e përfitimit, pra mekanizmin e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Kompania Homeplan ka vijuar shitjet deri në vitin 2020. Bilanci i saj tregon se vetëm përgjatë viteve 2019 dhe 2020 ka realizuar shitje me vlerë 2.75 miliardë lekë, me fitime neto prej 310 milionë lekësh. Ajo ka deklaruar bilanc zero për vitet në vijim ndërsa në tetor të këtij viti, aksionerët kanë vendosur likujdimin e saj.

Prokuroria vendosi sekuestro edhe për kompaninë Magnet IMO, e cila është nën pronësinë 100% të Jamarbër Malltezit, por ka zero të ardhura për vitet 2021 dhe 2022. Magnet IMO është pronare 50% e kompanisë KONTAKT SHPK & MAGNET IMO SHPK e cila është themeluar në vitin 2020 dhe është zhvilluese e disa pallateve të tjera në të njëjtën zonë.

Poll

MOS HUMB