
TIRANË- Drogë, armë dhe pajisje bitcoin-i! Këto dhe shumë të tjerë të gjithë mund t'i blejnë online dhe t'i marrin në dorëzim nga Posta Shqiptarë. Sonte, "Inside Story" ka zbuluar se transporti i drogës përmes postës është riaktivizuar. Në një rast, më 15 Gusht të vitit 2022, Sektori i Narkotikëve në Polici sinjalizohet nga Filiali i Qendrës Tranzit në Vorë, i Postës Shqiptare për 2 pako të dyshimta që kishin mbërritur nga Britania e Madhe. Pakot me peshë të përgjithshme 1.5 kilogramë ishin postuar sipas përshkrimit lodra për fëmijë. Dërgues ishte një shtetas që kishte dhënë identitetin Alari Aderajo siç shihet në materialet e dosjes hetimore. Pakot kishin dy adresa të ndryshme pritëse në qytetin e Durrësit ku ishin vënë identitete të rreme të dy personave.
Pakot u transportuan në pikën e Postës Shqiptare dhe u bë "dorëzimi i kontrolluar". Pakot u tërhoqën nga një 17-vjeçar. Teksa merrej në pyetje, adoleshenti ka mohuar implikimin në linjën e trafikut. Ai pretendonte se kishte rënë në kurthin e rrjeteve sociale ku i kanë bërë ofertë për të marrë pakot kundrejt pagesës, pa e ditur se çfarë kishte brenda tyre.
Një tjetër rast u shënua më 12 janar të vitit 2024, kur operatorët e terminalit doganor në Vorë, hasën në një pako të dyshimtë që vinte përmes kanaleve postare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kutia kishte një peshë prej 2.2 kilogramësh dhe adresë pritëse rezultonte emri i një vajze në Tiranë, me inicialet D. C., që mendohet se nuk ka asnjë lidhje me linjën e trafikut. Brenda në pako kishte 1.7 kilogramë kanabis. Gjatë aksionit policor, u kap një 16-vjeçar, të cilit iu sekuestrua një sasi prej 8325 eurosh, i cili punonte në një pikë "tabachino" të familjes. Në dëshminë e dhënë, babai i minorenit deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni në aktivitetin për të cilin dyshohej djali.
“Djali i vogël është gjimnazist në vit të parë, në gjimnazin Besnik Sykja. Djali i vogël ndonjëherë pas shkolle rri në dyqan ndërsa punë tjetër nuk bën. Rreth orës 15:00, në dyqanin tonë te xhamia në Selitë pashë që punonjësit e policisë kishin ndaluar djalin e vogël. Nuk kam dijeni nëse djali ka kryer apo kryen ndonjë veprimtari të jashtëligjshme”.
Por nuk u ndalën me kaq! Në 18 Mars 2024, operatorët doganorë në Vorë konstatuan një pako të dyshimtë që vinte përmes shërbimit postar. Edhe kjo pako kishte kanabis. Edhe në këtë rast, qëndrimi i pritësit të lëndës narkotike ishte identik me rastet e tjera. Ai deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me trafikun e drogës, por ishte porositur nga një person i lagjes për të marrë një pako me cigare elektronike.
Megjithatë, tentativat për trafik droge, janë vetëm maja e ajsbergut!
Ka pasur raste kur është kapur edhe një arme zjarri automatike. Herë të tjera janë blerë edhe dylbi, pajisje që përdoren për armët tip "snajper". Për rastin në fjalë, pas ndjekjes së dërgesës, autoritetet ranë në gjurmët e një grupi të fuqishëm të trafikimit të armëve. Në Prill të vitit 2021, u finalizua operacioni masiv i koduar “Kompleks”.
Mes sendeve të ndryshme të dyshimta, skanerat e qendrës tranzit kanë arritur të zbulojnë edhe futjen e pajisjeve për monedhat virtuale Bitcoin. Shqipëria nuk ka ende legjislacion për këto monedha por ky aktivitet vijon prej vitesh me ferma prodhimi të jashtëligjshme./ZËRI