
GJIROKASTËR- Blegtorët në Gjirokastër dalin sërish në protestë. Këtë të dielë ata kanë bllokuar hyrjen në aksin nacional Kardhiq-Delvinë. Kjo protestë sipas tyre vjen pasi Ministria e Bujqësisë nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre. Në protestë ishin blegtorë nga 10 bashki të jugut.
Ata shprehen se në takimin që kanë pasur rreth dy javë më parë me ministren Anila Denaj, kanë marrë shumë premtime, por që sipas tyre nuk janë mbajtur.
Blegtorët kërkojnë rinegocim të çmimit të shitjes së qumështit, rigjenerimin e kullotave, restaurimin e veprave ujore malore, lerava e pritave, rregullimin e tregut të shitjes së mishit si dhe dyfishimin e subvencionit për krerë të të imëtave./ZËRI