
TIRANË- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sekuestros preventive ndaj pronave që janë në ndërtim e sipër brenda territorit të bazës ushtarake në Shëngjin. Procedimi ka nisur për një kallëzim të bërë për kryerjen e veprës penale "shpërdorim detyre". Sipas vendimit të publikuar nga 'ReportTv', Gjykata e Lartë, duke u mbështetur në provat që ka sjellë Prokuroria e Shkodrës, evidenton se ndërtimet po bëhen brenda territorit të Forcave të Armatosura. E po ashtu, shton se regjistrimi i kësaj pasurie në emër të personave privatë është në kundërshtim me ligjin dhe përbën cenim të sigurisë kombëtare. Duke marrë parasysh pretendimet për lirimin e sekuestros së vendosur, Gjykata e Lartë ka vendosur që të mos e pranojë rekursin nga personat e interesuar: Nik Palokaj, Saimir Mergjyli, Aida Mergjyli, Petrika Golloshi, Alqi Golloshi, Artur Palokaj, Shoqëria “Flori” shpk, dhe Tonin Dodaj. Madje ka dhënë edhe një shpjegim më të zgjedhur lidhur me shkakun se përse, sipas gjykimit të tyre, masa e sekuestros është e nevojshme.
"Kolegji vë në dukje se jemi përpara një mase paraprake e cila është në fazat e hetimit, dhe rezulton mëse e nevojshme për të mbajtur gjendjen aktuale që pasqyrojnë pronat de facto dhe de jure, të cilat dyshohet se janë pjesë e pronave të Forcave të Armatosura. Sigurimi i tyre me qëllim mos zhvillimin më tej apo qarkullimin e lirë civil me pasojë përfshirjen e shtetasve të tjerë në posedimin e këtyreprovave të cilat mund të rezultojnë që të jenë përfituar në mënyrë të padrejtë, e bëjnë vendimin gjyqësor të rekursuar, një vendim të drejt dhe të bazuar. Në ndryshim nga sa pretendojnë personat e interesuar, Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit i ka dhënë përgjigje të argumentuar dhe ka trajtuar pretendimet e tyre të parashtruara në secilin rekurs. Fakti që konkluzionet e gjykatës së apelit nuk përputhen me pretendimet e rekursuesve, nuk do të thotë se vendimi i rekursuar është i paarsyetuar. Kolegji thekson se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji, të cilës palët mund t’i drejtohen vetëm për shkaqet e përcaktuara në nenin 432 të KPP. Personat e interesuar nuk kanë argumentuar nëse nga Gjykata e Apelit Shkodër është cenuar ligji penal (material ose procedural); nuk kanë evidentuar shkelje që kanë si pasojë pavlefshmërinë absolute të vendimit, sipas nenit 128 të KPP; si dhe nuk kanë parashtruar shkelje procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit apo që vendimi i rekursuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal apo Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, referuar shkaqeve të rekursit të parashikuar nga neni 432 i KPP. Provat janë analizuar dhe shqyrtuar në zbatim të ligjit procedural penal (neni 152 i KPP), ku, si rrjedhojë e kësaj analize, është arritur në përfundimin se ekziston një dyshim ia arsyeshëm, për të është e nevojshme marrja e masës paraprake të sekuestros preventive mbi pronat e dyshuara si prona të Forcave të Armatosura. Prandaj, Kolegji konstaton se gjykata e Apelit i ka dhënë përgjigje të argumentuar pretendimeve të peronave të interesuar."
Objekti disa katësh brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit nisu të ndërtohet që në vitin 2021. Denoncimi i parë erdhi nga ish-zv.komandanti i Forcës Detare Artur Mecollari e më pas u vunë në lëvizje Ministria e Mbrojtës dhe organet e drejtësisë. Megjithatë objekti ka arritur që të ndërohet deri në 3 kate. Me nisjen e hetimeve lidhur me ndërtimin, punimet janë lënë në mes dhe ndërtimi është vendosur në sekuestro preventive, gjë që është kundërshtuar nga shoqëria që po kryen këtë investim. Sipas tyre, kanë dokumentacionin e rregullt bashkë me leje ndërtimi të dhënë nga Bashkia Lezhë.
"Gjykata ka gabuar në vendimmarrjen e saj pasi pa bërë një analizë të detajuar dhe të gjithanshme të kërkesës së prokurorisë, legjislacionit dhe provave të administruara në rastin konkret, ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm se është kryer një vepër penale që ka lidhje me këtë pasuri, ka pranuar në mënyrë automatike kërkesën e organit të akuzës për vendosjen e sekuestros preventive pasuritë e paluajtshme. Në këto kushte i kërkohet Gjykatës së Apelit në Shkodër që të heqë sekuestron preventive të vendosur pasurisë të llojit pyll me sipërfaqe 1000 m2, në proces ndërtimi të kompleksit godinë 3 kat, pronë e cila është me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi të dhënë nga Bashkia Lezhë."
Mirëpo pretendimet e tyre nuk janë marrë parasysh. Hetimet lidhur me dosjen nisën nga SPAK, por më pas çështja i kaloi prokurorisë së Lezhës pasi Prokuroria e Posaçme nuk gjeti shkeljet nga subjektet që ka nën kompetencë./Zëri