
ROSKOVEC- Bashkia e Roskovecit i ka dhënë këtë premte “dritën jeshile” ndërtimit të Termocentralit në zonën bujqësore të Suk 1 pavarësisht kundërshtimeve të forta të banorëve të zonës. Ndërsa jashtë banorët protestonin, Këshilli Bashkiak votoi në favor të ndërtimit.
Në mbledhjen e shkuar projekti hasi kundërshtime dhe mes këshilltarëve, disa prej të cilëve dhe iu bashkuan fermerëve, ndërsa sot, situata ishte ndryshe dhe kartonat ishin jeshil.
Projekti është kundërshtuar nga banorët e zonës dhe fermerët. Ata shprehen se ky projekt do të jetë vdekjeprurës për zonën pasi prania e tij do të shkatërrojë një sipërfaqe bujqësore prej 700 hektarë me sera. Këtë të premte në mbështetje të fermerëve kanë shkuar dhe ambientalistë./ZËRI