
KORÇË-Nazmi Proga, babai i 42-vjeçarit, i cili u vra në Pogradec kërkon drejtësi për të birin. Ai ka ngritur dyshime në lidhje me mënyrën si ka ndodhur krimi apo vendngjarjen. Babai i viktimës për Top Channel, tha se nuk dihet nëse i biri kishte shkuar vetë në lokalin tjetër apo ishte thirrur aty. Ai shpreh shqetësimin se krimi mund të jetë kryer në atë lokal dhe se nuk dihet kush e nxori Egliun jashtë nga aty, duke sugjeruar se mund të ketë pasur përpjekje për të fshehur ngjarjen.
Nazmi Proga shprehet i zhgënjyer me policinë, duke i akuzuar ata për përpjekje për të fshehur të vërtetën. Ai thotë se policia fillimisht kishte deklaruar se djali i tij ishte rrëzuar vetë, ndërsa sipas tij, ata vonuan në mbërritjen në vendngjarje dhe në ofrimin e ndihmës së parë.
"Krimi është bërë në atë lokal, dhe djali nuk e dimë kush e nxori jashtë nga lokali, doli vetë apo e nxorën të tjerë për të shpëtuar veten e tyre apo për të mbuluar krimin. Të dalë e vërteta kush e ka goditur, as nuk është rrëzuar dhe as nuk ka pësuar infarkt, se kush e ka vrarë ta nxjerrë shteti," shprehet ai.
Nazmi Proga thekson se familja ka filluar një proces penal për të zbardhur të vërtetën, dhe se nuk dëshiron që çështja të mbyllet pa u ndëshkuar fajtorët.
"Kemi filluar vetë një proces penal ndërkohë që të dalë e vërteta. Unë një djalë kisha, e rrita me mund e me djersë, kishte dy fëmijë për të rritur, e la gruan të ve me halle e probleme. Nuk dua të mbyllet ky muhabet kot më kot. Të vendoset pika mbi i," përfundon ai.
Deklarata e plotë:
Në na ra një fatkeqësi e madhe, nuk e meritonim këtë tragjedi. Unë me djalin u shkëputa rreth orë para se të ndodhte gjëma. Të keqen e mora vesh kur shkova në spital. Vrasja e djalit tim kishte ndodhur në një lokal, në mënyrë krejt të padrejtë, sepse djalin tim e kam pasur gjithmonë të edukuar, të shkolluar. Ishte një njeri që as mizën nuk e vriste dot. U tortuara u masakrua, por e nxorën në rrugë në mëshirë të fatit rreth gjysmë orë atje, nuk e meritonte djali im të rrinte në mes të rrugës, pa ndihmën e askujt. Kam shumë pretendime për veprimet e policisë, nuk dhanë ndihmë por dhe nuk na linin të afroheshim. Tentuan ta fshinin gjoja rrëshqiti sepse ishte i pirë, djali u godit dhe u vra nga njerëz kriminel ordinier të pashpirt. Nuk e njoh farë, nuk e mbaj mend të ketë ardhur në lokal. Ka qenë problematik, një gangster dhe ishte me precedent penale. Mosveprimi i shtetit ndodhi të vepronte akoma me keq. Nuk e kam njohur më përpara.
Unë nuk di gjë, di gjë që doli nga lokali, duke ecur rrugës, është shumë në rregull. Mbylli lokalin dhe vazhdoi rrugën, pastaj nuk e kanë kapur më kamerat. Por ka kamera përballë supermarketit. Veprimi më shumë ka ndodhur brenda një lokali, dyshoj a u thirr apo hyri vetë. Ik ti i thash djalit se do rri unë në lokal, por takoj një shok dhe e ktheu, tha do rri dhe pak dhe do vi. Djali doli pastaj në kamera e keni të filmuar, goditja është bërë brenda. Ka plot dëshmitarë. Më duket ka ndodhur për një cigare, është e tmerrshme, njerëzit që ishin aty i dinë të gjitha dhe ata duhet të tregojnë. Deri në prag ka dalë djali dhe është dorëzuar. Policia ka dashur të fshehë motivin, insistoj me forcë që institucionet të zbardhin ngjarjen dhe të merren masa për autorin. Nuk është rrëzuar djali, e kanë goditur prandaj, por do dalë e vërteta. Le të ketë njerëz ai, mos të mbrojtet nga institucionet. Unë atë djalë kisha, me dy fëmijë, i përkushtuar me punë të mbante familjen.
Egli gjithmonë ishte i qeshur, fillonte punën që në mëngjes, me shokët ishte i shkëlqyer, me ne po. Nuk dinte të thoshte njëherë jo, ishte baba i dy fëmijëve. Vëllai i një motre, motrën e ka juriste, çfarë të them. Spitali duhet të ishte më në gatishmëri, ishte djali në morg pa një infermier pa asgjë. Prandaj i lutem shtetit të dalë e vërteta, boll me miq me shtet, me leke, boll se çdo gjë ka kufi. Familjarët e tij nuk janë afruar, edhe sikur të tentojnë nuk do ti pranoja. Çështe më e çudtishmja, një heshtje nga policia, indiferentizëm. Si nuk ka ardhur njeri të pyesi, ore baba çfarë ndodhi a di gjë më tepër. Absolutisht jo, kështu është e vërteta. Kemi bërë një padi dhe do e ndjekim deri në fund. Nuk e lëmë me kaq, do dali e vërteta.
Gjykata la në burg sot autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç.
Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në Rrugë./ZËRI