TIRANË - Avokati i kandidatit fitues për Bashkinë e Himarës, Fredi Belerit, tha se klienti i tij po dënohet pa pasur prova. Ai u shpreh se procesi është i montuar dhe cilësoi gjyqin si një shfaqje të shëmtuar.
Prononcimi i avokatit dhënë për mediat:
Avokati: Prokurorët nuk sollën asnjë provë, përveç dëshmisë të dy vëllezërve Arsen dhe Abdyl Rama, të dy të dënuar, nuk kishte asnjë provë tjetër. Nuk ka në provat e tyre qoftë edhe një foto të vetme të Arsen Ramës ato ditë në Himarë. Është ndërtuar shumë keq si fabul. Edhe nga ata më 1946 që ngarkonin akuzat, këta kanë se çfarë të mësojnë, prej atyre që bënin gjyqe politike. Është e turpshme dhe e pritshme. Siç akuzoi dhe z Beleri në fillim të fjalës së tij në gjykatë, gjykata është totalisht në vëmendjen e Prokurorisë, bën çfarë t’i thotë Prokuroria. E tërhoqi procesin Prokuroria nga fillimi deri në fund, gjykata nuk pranoi asnjë nga provat tona, nuk pranoi aktet e ekspertimit, nuk solli pajisje, rrëzoi praktikisht të gjitha kërkesat tona. Pranoi vetëm akuzat e Prokurorisë, që ishin të montuara, që në fillim. Kryetarja e Apelit nuk ia pranoi dorëheqjen gjyaqtares Gjoka. Pasi administroi dëshmitë e rreme të Abdyl Ramës, në një farë kuptimi ai është përgjegjësi për zotin Beleri, për administrimin e dokumenteve të falsifikuara.
Gazetarja: Prokuroria në pretencë foli për takime mes Arsen Ramës dhe Fredi Belerit. A mund të na shpjegoni përse janë takuar këta dy persona?
Avokati: Nuk janë takuar asnjëherë këta dy persona. Nëse do ishin takuar, nga grupi i Operacionales prej 15 vetash, do të kishim një foto të Arsenit, mirë të Belerit. Nuk kemi një foto të Arsenit, si ka mundësi që nuk gjendet Arseni në një foto. Kemi mijëra foto të tjera të banorëve të Himarës, që janë përgjuar në mënyrë të paligjshme, por nuk e kemi një foto të Arsenit, që është subjekti kryesor në urdhrin e prokurorit për ndjekje penale.
Gazetarja: Avokat, prokurori i çështjes tha, të kalojnë për shtetin 8 prerje kartmonedhash 5 mijë lekëshe, 2 telefona me të cilat janë kryer bisedat, 1 DVR, që konsiderohen si prova. Çfarë janë për ju këto konfiskime?
Avokati: Nuk kanë asnjë lloj vlere. Në proces janë debatuar dhe nuk kishin asnjë vlerë. Ne e dimë se ka telefon Fredi, e morën dhe e mbajtën, le ta mbajnë. Nuk ka asnjë telefonatë të bërë mes Fredit dhe ndonjë personi tjetër, që të kenë biseduar për gjëra të paligjshme, nuk ka.
Gazetarja: Por DVR…
Avokati: DVR është e një marketi aty në Potam, nuk ka asnjë provë. Prapë Prokurori i qëndron faksifikimit, të dëshmisë të pavërtetë, janë akte të falsifikuara.
Gazetarja: Po kartmonedhat avokat?
Avokati: Kartmonedhat i kanë gjetur, se nuk duken në video. Kanë bërë aktet e ekspertimit dhe nuk kanë dalë gjurmë të gishtit. Pra, kartmonedhat ku i kanë gjetur, ku i kanë marrë? Nuk ka asnjë pamje, që provojnë se paratë kanë qenë në duart e Belerit.
Gazetarja: Në pamje duket Pandeli Kokaveshi. Mund të na shpjegoni se çfarë do të thotë kjo për mbrojtjen?
Avokati: Për mbrojtjen do të thotë është akuzë e montuar. Pandeli Kokaveshi nuk po themi se nuk ka qenë në Himarë. Po themi që Arseni nuk duket në asnjë pamje, as me Belerin dhe as vetë si Arsen nuk duket kërrkund. Gjithë procesi është mbi dëshminë e dy vëllezërve.
Gjatë ditës së sotme, në GJKKO është dhënë pretenca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. SPAK ka kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për Belerin. Po ashtu, Struktura e Posaçme ka kërkuar 2 vite burg për Pandeli Kokaveshin, duke shtuar se dënimi ndaj këtij të fundit të konvertohet në shërbim prove për 4 vite. Seanca e radhës do të mbahet më 28 shkurt, ora 14:30 minuta./ZËRI/