
TIRANË- Autostrada e re Thumanë-Kashar do të kalohet me pagesë. Kontrata është firmosur për të taksuar të gjithë qytetarët që do të duan të përdorin autostradën e kategorisë A, e cila do të mbyllë punimet më 30 qershor. Në kontratë është zbuluar mënyra/formula e taksimit dhe përqindja për secilën kategori.
Por nga kontrata zbulohet se pagesa nuk do të shkojë më poshtë shifrës së 2.1 euro, e cila do të paguhet për të përdorur autostradën. Megjithatë kjo shifër mund të shtohet në kuadër të luhatjes së këmbimit valutor. Por edhe pse me pagesë, për ata që nuk duan, do të kenë rrugë alternative, ndërsa qytetarët e zonës mund ta përdorin pa pagesë. Pa pagesë janë caktuar edhe kategori të tjera.
Në kontratë përmenden: automjetet e Policisë; ambulanca; zjarrfikëset; mjetet ushtarake; personat që kanë statusin e invalidit.
Aksi rrugor Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu, do të hapet për qarkullim në datën 30 qershor. Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 21.05 km dhe përshkruan një prej zonave me trafik të rënduar, veçanërisht gjatë verës.
Hapja e tij pritet ta lehtësojë ndjeshëm trafikun. Rruga do të jetë e kategorisë A, duke plotësuar parametrat më të lartë të sigurisë rrugore. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur se duke qenë një autostradë e kategorisë A, është parashikuar që brenda standardeve të ndërtohet dhe një gardh rrethues, nga të dyja anët, në mënyrë të tillë që të mos lejohet aksesi i askujt duke rritur kështu sigurinë e lëvizjes.
Krahas aksit kryesor, do të ketë edhe rrugë alternative, si një opsion për të gjithë qytetarët. Aksi Thumanë-Kashar ka pjesë të tij disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime. Kostoja totale për ndërtimin e këtij aksi është 226 milionë euro, kurse në 35 vitet e kohëzgjatjes së kontratës, koncesionari pret të fitojë 1.3 miliardë euro. Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen, ndaj edhe janë vendosur në dispozicion si garanci edhe 22.8 milionë euro. Aktualisht në Shqipëri me pagesë është vetëm rruga e Kombit, për të cilën paguhet 5 euro, ndërsa e njëjta praktikë pritet që të përdoret edhe për tunelin e Llogarasë dhe rrugën e Arbërit. Megjithatë as për këto akse nuk kanë përfunduar plotësisht punimet./ZËRI
KONTRATA E PLOTË MË POSHTË: